5 anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve kanë thirrur mbledhjen e Këshillit sot në orën 11:00, mirëpo i kanë gjetur dyert e mbyllura në godinën e Kuvendit. Sipas PD, kryetari Niko Peleshi ka urdhëruar mbylljen e sallës së mbledhjes së Këshillit. Sipas PD, deputetët janë paraqitur në ambientet e sallës, por e kanë gjetur derën e mbyllur, shkruan A2.
“Kolegët kanë bërë kërkesë për të thërritur mbledhjen me rend dite shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres dhe deputetes Belinda Balluku në kuadër të hetimeve që ata po bëjnë. Me praninë e pesë anëtarëve mbledhja është e vlefshme, por kryetari i Kuvendit sërish refuzon që ta thërrasë, të thërras pjesën tjetër, të bëjë veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligji, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishëm kushtetues të Parlamentit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë në hetimin e kësaj afere skandaloze korruptive”, tha deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.
“Ne presim këtu, jemi ende në pritje që Kuvendi i Shqipërisë të vërë në dispozicion kushtet që kjo mbledhje, që është thirrur rregullisht, të jetë funksionale, por ja ku jemi. Kryetari i Kuvendit e ka bllokuar”. (A2 Televizion)