Spahia: Kuvendi u vu në shërbim të bllokimit të drejtësisë. AKSHI, strukturë kriminale

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2025, 14:18 | Politikë

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, deklaroi se Shqipëria u përball me një situatë absurde dhe të paprecedent, ku opozitës iu mohua e drejta për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, pavarësisht se kërkesa ishte bërë në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit.

“Në asnjë rast më parë nuk kemi parë një Kuvend të vihet kaq hapur në shërbim të plotë të pushtetit ekzekutiv”, tha Spahia i ftuar në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN.

Sipas Spahisë, bllokimi i mbledhjes ishte një urdhër politik i kryeministrit Edi Rama, me qëllim pengimin e transparencës dhe ndalimin e rrugës së drejtësisë, konkretisht për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai theksoi se kjo sjellje përbën shkelje të hapur ligjore dhe institucionale, duke e kthyer Kuvendin në një instrument në shërbim të mazhorancës. “Ishte e qartë se ky bllokim u bë me urdhër të drejtpërdrejtë të Edi Ramës, për të penguar transparencën dhe për t’i mbyllur rrugën drejtësisë”, shtoi Spahia.

Ai u ndal edhe te dosja e AKSHI-t, duke e cilësuar këtë institucion si “oborr privat të kryeministrit”, ku sipas tij, hetimet kanë faktuar përfshirjen e familjarëve të afërt të Ramës dhe një rrjet të gjerë abuzimesh me tendera publikë. “Mbi 90% e tenderave të AKSHI-t përfundonin te baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Nuk kemi më të bëjmë me një institucion shtetëror, por me një strukturë të mirëfilltë kriminale”, tha ai.

Në lidhje me SPAK-un, Spahia deklaroi se Partia Demokratike e mbështet drejtësinë sa herë ajo vepron në interes të qytetarëve, por ka denoncuar përdorimin politik të saj kundër opozitës. “SPAK do të ketë mbështetjen e plotë të opozitës sa herë që vepron në interes të qytetarëve. Ne kemi denoncuar përdorimin politik të SPAK-ut, jo drejtësinë në vetvete. Ka prokurorë me integritet që nuk i nënshtrohen presionit dhe që ne i respektojmë”.

Ai theksoi se protestat e nisura nga opozita janë pjesë e një beteje më të gjerë për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe për rivendosjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. “Protesta është një nga armët më të fuqishme të opozitës, por jo e vetmja. Objektivi kryesor sot është largimi i Edi Ramës dhe i kësaj bande kriminale që ka kapur shtetin”, u shpreh Spahia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos