
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Manza ku e zhvendosi “Foltoren” këtë të premte, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për grabitje sistematike të zgjedhjeve dhe blerje masive të votës, duke nisur që nga viti 2001 e deri te zgjedhjet e fundit.
“Zgjedhjet e vitit 2001 përsëri ai vodhi votën. Nuk i fitoi. Nuk i fitoi”, u shpreh Berisha, duke theksuar se edhe në zgjedhjet e vitit 2021, sipas tij, rezultati u deformua përmes përdorimit të fondeve publike dhe presionit ndaj zgjedhësve.
Ai deklaroi se qeveria shpërndau 130 milionë euro në zona të prekura nga tërmeti, vetëm pak kohë para zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si blerje masive vote. “Në ligjin dhe rregullat e zgjedhjeve, një akt i tillë përbën blerje masive vote dhe s’mund ta bënte”, tha Berisha, duke shtuar se “vota vdiq pa hyrë në kuti”.
Berisha akuzoi gjithashtu ish-drejtues të Partisë Demokratike, duke thënë se ata nuk u përballën me atë që e cilësoi si grabitje të votës nga qeveria, por u morën me përplasjet e brendshme. “Ishte në marrëveshje me të. Harroi çfarë bëri qeveria”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, Partia Demokratike nuk do t’i humbiste kurrë zgjedhjet e 11 majit, nëse nuk do të kishte falje gjobash dhe kamatash në vlerë 2 miliardë euro, shpërndarje parash për pensionistët dhe mobilizim të administratës shtetërore. Ai përmendi edhe organizimin e mijëra aktiviteteve, përfshirë “Giro d’Italia, ditën e zgjedhjeve, me kosto 7 milionë euro”.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi drejtpërdrejt edhe bandat kriminale. “Kartelët e drogës, Troplinët, Suel Çela, Bajrët dhe me radhë, nxorën hanxharët e krimit kundër zgjedhësve dhe diktuan votën”, tha ai. (A2 Televizion)