Rinumërimi i votave për Tiranën dhe Fierin, Celibashi: Procesi nis javën e ardhshme, zgjat deri në 20 ditë

Nga A2 CNN
10 Qershor 2025, 10:43 | Politikë

Rinumërimi i votave për Tiranën dhe Fierin, Celibashi: Procesi

Javën e ardhshme pritet të nisë rinumërimi i votave në qarkun e Tiranës dhe në atë të Fierit.

Në një konferencë për mediat, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi është shprehur se procesi do të nisë javën e ardhshme dhe pritet të zgjasë deri në 20 ditë, shkruan A2 CNN.

Ai shtoi gjithashtu se do të rishqyrtohen 610 301 vota të të dyja qarqeve, teksa tha se procesi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” dhe se do të realizohet nga stafi i KQZ, dhe jo nga subjektet politike.

“Ky proces do të realizohet nga stafi i KQZ, në dallim me këtë proces të zhvilluar pas përfundimit të votimit dhe nxjerrës së rezultatit, i cili si proces është realizuar nga numërues dhe komisionerë të caktuar nga partitë politike.

Në këtë rast procesi do realizohet nga stafi i KQZ. Partitë politike s’kanë asnjë angazhim në këtë proces. Sikurse mundet ta keni konstatuar, Kas ka ardhur në këtë vendimmarrje me kërkesë të dy anëtarëve të këtij organi, pasi janë vlerësuar pretendimet e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë, bazuar në dokumentacionin që iu është dhënë nga KQZ dhe pamjeve filmike.

E them këtë për të evidentuar faktin që sistemi i administrimit, i mbikëqyrjes së procesit të numërimit dhe tabelimit të rezultatit ka funksionuar sic duhet sepse bazuar në ato të dhëna iu është krijuar mundësia kandidatëve për pretendimet, ngelet për tu parë sesa qëndrojnë këto pretendime. KAS do të vendosë dhe disponojë mbi cdo element të këtij procesi të rinumërimit. Bëhet fjalë për rinumërimin e rreth 610301 vota për të dy qarqet, Tiranën dhe Fierin. Parashikojmë që të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen”, tha Celibashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos