Roli i grave në politikë, drejtuesit e PD: Do të kenë hapësirë të pamat, beteja fitohet me to

Nga Anesti Barjamemaj
23 Nëntor 2024, 12:55 | Politikë

Prej vitesh në Shqipëri flitet për barazi gjinore në organet e larta përfaqësuese deri tek Kuvendi i Shqipërisë. Sot forca kryesore në opozitë, Partia Demokratike tregoi hapësirat në radhët e saj, por duke pohuar përmes dy burrave në drejtim përse nuk është e lehtë.

“Ne duhet të luftojmë të gjithë së bashku për të krijuar hapësira. Në PD, hapësirat janë të pamata për gruan, pjesëmarrjen dhe ndikimin e saj. Megjithatë në politikë nuk është shumë e lehtë që të ecin edhe burrat, pale më gratë. Por historia ka treguar se gratë, kur këmbëngulin, kur luftojnë, kanë arritur të sjellin ndryshime të mëdha”, tha Flamur Noka – Sekretar i Përgjithshëm i PD –

“Nëse ju do t’i shpjegoni Margaret, deputete në Suedi, se si përballeni dhe ndodh në fushata në Shqipëri, të jeni të sigurta që nuk do ta besojë”, tha Gazment Bardhi – Kryetari i Grupit Parlamentar të PD.

Duke ju referuar betejave të opozitës, Gazment Bardhi thekson se gratë kanë luajtur rol vendimtar dhe se çelësi i suksesit sipas tij është pjesëmarrja aktive e tyre në fushatë.

“Sipas këndvështrimit tim, çdo parti politike që synon të ketë sukses në çdo garë apo aksion politik, duhet t’i ketë zonjat në ballë, në krye, aty ku e meritojnë. Prandaj, nëse duam të kemi sukses në sfidat që na presin pas disa muajsh, zotimi që Sekretari i Përgjithshëm mori sot përpara jush duhet të jetësohet”, tha Bardhi.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi faktin se gratë janë ato që bëjnë punën më të madhe, por meritat sipas tij i marrin burrat. Mediu mori shembullin e rezolutave të miratuara së fundmi në forumet e partive të djathta, ku tregoi se pas suksesit fshihet më së shumti Albana Vokshi.

“Dhe ndonjëherë më vjen që pak del se kush e bën, por e rëndësishme është që bëhet”, u shpreh Mediu.

Vetë Albana Vokshi, kryetare e forumit të gruas në PD, deklaroi se nëse kërkohet të arrihet fitore në zgjedhje gratë patjetër duhet të jenë të përfaqësuara.

“Ne e dijmë shumë mirë që PD të jetë fituese në maj, duhet që të jemi të organizuara. Nuk duhet të presim të na japin urdhra burrat, por duhet të jemi vetë atje”, tha Albana Vokshi, kryetare e Forumit të Gruas.

Diskutimet u bënë në kuadër të konferencës për pjesëmarrje të suksesshme dhe fitore në zgjedhje, një organizim me fondacionin suedez Jarl Halmarson. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos