Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për ndërhyrjen në drejtësi, duke mbrojtur Belinda Ballukun, kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të saj si deputete, si dhe për qasjen e tij ndaj procesit të integrimit europian dhe bashkëpunimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
“Është çështja Rama-Balluku, nuk është çështja Balluku. Ai e ndaloi drejtësinë, e vrau, e ekzekutoi drejtësinë. Këtu tek unë tha nuk ka”, tha Balliu, duke iu referuar vendimit të mazhorancës për të mbrojtur imunitetin e Ballukut përballë kërkesës së SPAK-ut.
Ai kritikoi gjithashtu injorimin e paralajmërimeve ndërkombëtare.
“Pavarësisht se kishte deklaratën e ambasadës angleze përpara votimit që të mos e shkelte këtë, dhe deklaratën e ambasadës gjermane, ai veproi ndryshe,” theksoi Balliu.
Deputeti demokrat u shpreh se bashkëpunimi i Ramës me Vuçiçin për integrimin rajonal nuk është i pranuar nga partnerët europianë.
“Del pastaj me një tezë dhe bën një artikull bashkë me Vuçiçin për një formë tjetër integrimi. Por këtyre u është kthyer përgjigje nga Peter Bayer që këto procese që shpiken nga Rama dhe Vuçiç nuk kanë lidhje dhe nuk mund të pranohen kurrë,” deklaroi ai.
Balliu shtoi se integrimi në Bashkimin Europian kërkon vullnet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjë që sipas tij është penguar nga mazhoranca.
“Integrim do të thotë të integrohesh. Nesër Shqipëria mund të integrohet nëse tregon minimumin e vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Po ç’vullnet? Këta e ndaluan me votën në parlament,” përfundoi ai. (A2 Televizion)