Ervin Salianji, ish-deputeti i Partisë Demokratike tashmë i burgosur, u ka dërguar protestuesve një mesazh nga qelia, shkruan A2 CNN.
“Në këto orë, ata po korrin frikën që mbollën vetë! E dimë që menduan se do na frikësonin, e sot më shumë na forcuan. Qëndresa jonë është shpërbërja e tyre! Ne e dimë që shumë nga ne sakrifikojnë e rezistojnë sepse na takon ne së pari të jemi muri që ndal të keqen. Na takon ne dhe vetëm ne të jemi forca e shembullit”, shkruan Salianji.
“Të humbësh lirinë për të fituar forcën e goditjes ndaj padrejtësisë, është zgjedhje e ndërgjegjes. Të humbësh lirinë në betejë për të fituar demokracinë e qeverisje të mirë për njerëzit, është vlera më e lartë. Të humbësh lirinë duke fituar besimin në sakrificë është forma më ë lartë e fisnikërisë civile. Të fitosh lirinë duke protestuar me besimin që shqiptarët meritojnë një tjetër zgjidhje, është rruga!
Reago, mos humb veten, as dinjitetin, as të drejtat! Reago, sepse forca dhe e drejta janë me ty!
Reago! Reago për pagën e degraduar; për fitimin e munguar; për pronën e pafituar, për jetën e shtrenjtuar, për fjalën e cunguar, për shpresën e mpirë, për një Shqipëri më të mirë. Populli shkund çdo tirani!”. (A2 Televizion)