Protesta e së hënës, Berisha: Dita e fillimit të betejës, demokratët të betuar për çdo sakrificë

Nga A2 CNN
6 Tetor 2024, 19:36 | Politikë

Protesta e së hënës, Berisha: Dita e fillimit të

Sali Berisha nuk ka munguar të flasë për “pararendësit e betejës të 7 tetorit”, siç i quajti ai mbështetësit që e përkrahin çdo ditë poshtë ballkonit të tij, që prej 31 dhjetorit të vitit të kaluar, ku po qëndron në arrest shtëpie.

Berisha foli për protestën e së hënës të opozitës, duke thënë se demokratët janë të betuar për çdo sakrificë, shkruan A2.

“Mirënjohjen më të pakufishme, për ju pararendësit e betejës të 7 tetorit. Pararendësit e marshit të demokrateve dhe demokratëve, opozitareve dhe opozitarëve, qytetarëve dhe qytetareve drejt fitores.

23 orë na ndajnë nga dita e fillimit të asaj beteje në të cilën çdo demokrate dhe demokrat, çdo opozitar dhe opozitare vendos i betuar, i gatshëm për çdo sakrificë për dinjitetin e tij, për dinjitetin e shqiptarëve, për votën e lirë, për të ardhmen tonë”, u shpreh Sali Berisha.

Më tej, kreu demokrat tha se, “Rama e krimi i organizuar janë vërsulur si hiena kundër atyre që përmbysën pushtetin e etërve të tyre barbarë”.

“Populli opozitar, një popull fisnik, një popull i mbrujtur me vlerat më të larta të moralit, të qëndrimit, të atdhedashurisë është shndërruar këto vite nga narkoqeveritarët, narkozyrtarët, nga Edi Rama dhe regjimi i tij i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve në një popull të përçmuar, në një popull të nënçmuar, në një popull të burgosur, në një popull të diskriminuar, në një popull të dëbuar nga vendi, në një popull që i rrëmbehet vota dhe që i kërkohet të mbajë ison regjimit.

Nuk ka patur dhe nuk mund të ketë një qëndrim më armiqësor, më çnjerëzor, më antishqiptar se sa qëndrimi i kreut të krimit të organizuar, Edi Ramës, organizatës së tij kriminale, rilindjes së drogës dhe krimit, hajnisë, narkoinstitucioneve, narkopolicisë, narkodrejtësisë që vërsulen si qen të tërbuar kundër popullit opozitar.

Vërsulen të tmerruar për krimet që kanë kryer, për vjedhjet që kanë bërë kundër popullt fisnik opozitar, kundër popullit atdhetar opozitar.

Janë vërsulur si hiena kundër atyre që përmbysën pushtetin e etërve të tyre barbarë. Kanë shndërruar procesin themelor të lirisë, të demokracisë, procesin zgjedhor në farsë elektorale në të cilën krimi, droga shndërrohet në votë, dhe vota shndërrohet në krim, në drogë, në vjedhje të qytetarëve”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos