
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në Bruksel, në një takim të rëndësishëm që pason Samitin e Hagës, ku u përcaktuan objektiva të reja mbi bazën e një vlerësimi realist të mjedisit aktual të sigurisë. Në këtë takim merr pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale nga Brukseli, Vengu thekson se, diskutimet e sotme fokusohen te përshtatja operacionale e Aleancës, përshpejtimi i proceseve të vendimmarrjes dhe një shpërndarje më e balancuar e barrës së sigurisë mes aleatëve, shkruan A2.
Sipas tij, vendimi për dislokimin e operacionit “Arctic Sentry” përreth Groenlandës konfirmon se siguria euro-atlantike është e pandashme dhe shtrihet nga veriu strategjik deri në Mesdhe. Në këtë kuadër, ai nënvizon rëndësinë e forcimit të pozicionimit të NATO-s në krahun juglindor, si një element thelbësor për stabilitetin e gjithë rajonit.
“Shqipëria i di detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit”, u shpreh ministri Vengu në reagimin e tij. (A2 Televizion)