Dashamir Shehi, kryetar i LZHK, komentoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” që u dha nga SPAK për Vlora Hysenin, e cila mbante postin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror.
“Shërbimet sekrete kanë qenë në dorë të disa njerëzve që janë njëlloj të korruptueshëm si drejtorët e ministrat. Këta janë për të përgjuar njerëz që duan t’i bëjnë dëm vendit, jo për të komunikuar me kriminelë e për të mbuluar zullumet e drogës. Ky është tregues shumë i keq për këtë qeverisje dhe mentalitetin e njerëzve që po e drejtojnë vendin. Nëse një person është i shkarkuar në Kosovë, nuk mund të emërohet në Shqipëri. Nuk emërohet për karshillëk të palës tjetër dikush që ka pasur probleme atje. Mjafton që kryeministri i Kosovës e ka shkarkuar, sikur të ishte engjëlli i botës ky personi i shkarkuar, nuk ka pse emërohet këtu. Janë dy qeveri të afërta supozohet”, tha Shehi në studion e “Puls nga Bruna Çifligu, në A2CNN.
“Unë gjykoj që është emëruar për t’i bërë karshillëk atij që e shkarkoi. Edhe sikur të ishte shkarkuar pa të drejtë, nuk duhet vënë në Shqipëri në shërbimet sekrete. Zakonisht, në këto shërbime emërohen njerëz që e njohin ambientin. Nuk e bën dot një nga jashtë”, shtoi Shehi. (A2 Televizion)