Ligjet mblidhen për territorialen, opozita kërkon reagim pas arrestit të Vlora Hysenit

Nga A2 CNN
23 Shtator 2026, 11:55 | Politikë

Komisioni i Ligjeve vijon diskutimet për ndarjen territoriale, por mbledhja u shoqërua me debate pas arrestimit të Vlora Hysenit. Deputetët e opozitës kërkuan reagim institucional, duke akuzuar qeverinë se po vijon punën sikur “nuk ka ndodhur asgjë” dhe se vendi përballet me një situatë të rëndë të sigurisë.

Oerd Bylykbashi deklaroi se arrestimi i kreut të SHISH-it, sipas tij, tregon për depërtimin e krimit të organizuar në institucionet shtetërore. Edhe deputeti Saimir Korreshi kërkoi që Kuvendi të fokusohet te situata e sigurisë kombëtare dhe jo te ndarja e kooperative bujqësore.

Ulsi Manja nga ana e tij i shmangu komentet për rastin konkret, duke theksuar se reforma për ndarjen territoriale është tejet e rëndësishme për shqiptaret dhe diskutimet për të nuk duhen shmangur.

Ndërkohë, Luçiano Boçi kërkoi që reforma territoriale të bëhet me konsensus, duke paralajmëruar mazhorancën se, sipas tij, po përballet me pasoja politike.

“Kjo reforma për t'ia nxirë jetën më shumë shqiptarëve ka për sfond skandalin e djeshëm. Kreu i shërbimit të informativ shtetëror që arrestohet nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar. Kemi arritur këtu. E kuptoni sa qesharakë është kjo që sillni juve? Përveç asaj që keni bërë jemi në këtë kuadër. Ky shtet është i krimbur nga koka te këmbët. Ky parlament diskuton për seksin e ëngjëjve. Flet për gjëra të cilat thjesht do t'ia bëjmë më keq jetën, por ndërkohë ky parlament duhet të mblidhet. Ku është ky ekzekutiv? Çfarë po ndodh në këtë vend? Si ka mundësi që krimi i organizuar të ketë penetruar në nyjet nevralgjike kryesore të shtetit? Shërbimi informativ, AKSHI që bën vaki ka dhe më shumë informacion sesa Shërbimi Informativ për jetën e përditshme të njerëzve. Ka impakt më të madh. Kadastra, ministritë, procesi i sistemit i prokurimit, çdo gjë. Një shtet i rënë dhe mos ia vini fajin asaj drejtoreshës apo vetëm është kryeministri është ai që ka edhe konceptin e centralizimit të pushtetit që askush nga ju mos bëjë gëk që edhe kur të vijë ky projekti këtu mos ndjeni dhe ta votoni me kokën ulur. Ajo e djeshme është vetëm një puçërr, një lungë e sistemit që është i infektuar në të gjitha qelizat e veta me një emër infeksioni. Edi Rama kaq”, tha Oerd Bylykbashi.

“Nuk besoj se ka projektligj më të rëndësishëm për komisionin tonë sesa projektligji që kemi në rendite dhe nuk duhet kurrsesi që ne të ulim rëndësinë e kësaj mbledhje dhe të këtij komisioni me veprimtarinë normale të institucioneve në një shtet demokratik. Kështu që nëse ka për procedurë sugjerime për rendin e ditës ë kolegët mund ta marrin fjalën për procedurë, por ama duke i qëndruar rendit të ditës”, u përgjigj Ulsi Manja.

“Duke qenë se na njoftuat dhe ndryshimin e sallës, unë mendova se kishte ardhur Baromi (presidenti Barjam Begaj) për mbledhur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare se ka rënë shteti. Ka ulur siguresat të gjitha me ato arrestimet që janë bërë dje dhe thashë po na thërret dhe ne të ligjeve tani në mbështetje të kësaj. Ne themi, vazhdojmë sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë. Do ndajmë hartën thotë; kooperativa bujqësore, do bëjmë kooperativë tipit të lartë apo kooperativë tipit të mesëm bujqësor. Pra do t'ia heqim Lenës, do ja vëmë Prenës, bashkitë e këto të tjerë. Tani ky kuvend a ka ndonjëherë prioritete ky shtet kur bie siguria kombëtare sot? Kush e ruan shtetin tonë? Baromi (presidenti) dini gjë nga është se duhet të ishte ai këtu në këtë sallë ku bënte mbledhjet e këshillit të sigurisë kaq. Të tjerat janë kot tani. Ju keni vendosur sikur do na pyesni ne? Ju nuk e sollët në komision tek bashkëkryetari këtë. Ka rënë shteti sot o bosa e dini apo jo? Kush është jurist dhe ne që jemi juristë e dimë, që sot ai që na mbronte nga të jashtmit nga agjenturat është në burg se ishte tregonte vetë edhe ai që ishte i brendshmi na çonte te krimi. Çfarë të bëjmë tani ne të rrimë të ndajmë këtu kooperativat?” u shpreh Korreshi.

“Kjo reformë bëhet me konsensus. Mos e harroni, nuk është reformë politike kjo. A në qoftë se ju e pranoni dhe publikisht se normal e keni pranuar që e bëni thjesht për vota politike, bëjeni për vota politike sepse dhe përgjigjen do ta merrni në një formë apo në një tjetër. Përgjigjja po vjen. Mos u bëni megallomanë. E keni marrë shumë në shumë forma, në shumë mënyra. Po e merrni në bulevard përgjigjen, po e merrni me shërbimin informativ, po e merrni me partnerët. Ju s'doni të lexoni, sepse në politikë lexohet kollaj, se çfarë po vjen, çfarë tërmeti ju pret juve dhe për ta parandaluar vendosni arsyen mbi absurditetin, vendosni arsyen mbi çmendurinë”, deklaroi Luçiano Boçi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos