
“Kjo që ka ndodhur dje nuk është çështje drejtësie, por vërtetim i depërtimit të krimit në institucione”. Kështu është shprehur kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi në një reagim të sotëm në lidhje me arrestin e Vlora Hysenit.
Bardhi pretendon se Hyseni është përzgjedhur nga Edi Rama për t’i shërbyer interesave të biznesmenit Ergys Agasi dhe kërkon përgjegjësi politike nga kryeministri.
“Kemi parë kur krimi ka depërtuar në Kuvend. Kemi bërë një ligj për këtë. Kemi parë kur krimi depërton në institucionet e qeverisë. Dje e pamë. Dje u verifikua ajo që ne kemi thënë: që Ergys Agasi ka emëruar Vlora Hysenin. Dhe po flisni për prezumimin e pafajësisë. E ka pranuar ajo, ka thënë se kanë punuar. Pra, e ka bërë një nëpunëse shteti atë. Por, në fakt, kjo është komunikuar për t’i dhënë informacione, jo për t’i marrë. Këtu nis gjithçka. Vlora Hyseni është marrë si përzgjedhje personale e Edi Ramës për të kënaqur interesat e koordinatorit me krimin e organizuar, Ergys Agasi. Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi shtetërore. Prandaj, Edi Rama duhet të japë shpjegime. Ky njeri është shkarkuar në Kosovë për të njëjtin krim, nxjerrje të informacioneve. Prandaj, duhet të japë shpjegime. Kishte probleme Ergys Agasi, zonja menjëherë ishte hedhur tek Ron Yefet”, tha Bardhi.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për standarde të dyfishta në raport me drejtësinë dhe deklaroi se Agasi ka pasur ndikim mbi disa ministra të Brendshëm.
“Këtu ka përgjegjësi shtetërore dhe duhet të mbajë përgjegjësi Edi Rama, që e ka çuar shërbimin në këtë derexhe. Ergys Agasi ka ngrënë katër ministra të Brendshëm. Dhe Lamallari iku vetëm për faktin se nuk kishte informacion për arrestimin e Agasit. Prandaj e hëngri Edi Rama. Kjo është përgjegjësi institucionale. Ai njeri ka pushtet sepse ia ka dhënë Edi Rama”. (A2 Televizion)