“Ndodh kudo në botë”, Krasniqi - Xhafajt: Si reagoi ministri gjerman kur sekretari i tij shiti sekrete

Nga A2 CNN
23 Shtator 2026, 10:10 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi tha se caktimi i masës së sigurisë “arrest shtëpie” për shefen e Shërbimit Informativ mund të konsiderohet si “bombë politike”. Sipas tij, edhe vetë votuesit socialistë nuk kanë votuar që individë banditë të kontrollojnë shtetin. Duke folur në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Krasniqi kritikoi edhe reagimin e maxhorancës ndaj ngjarjes.

“Meqenëse sot zoti Xhafaj përmendi “ndodh kudo në botë”, unë po i sjell një rast gjerman. Willy Brandt konsiderohet simboli i së majtës socialdemokrate në historinë e Europës. Atë, zoti Rama e ka cituar disa herë. Ditën kur doli që sekretari i tij kishte shitur disa nga sekretet e zyrës, ai dha dorëheqjen si kancelar dhe s’u kthye kurrë në politikë”, tha Krasniqi.

“Politika nuk është ajo se sa mundem, me çuna të fortë, me ca trafikantë, me ca njerëz të pasur, me ca oligarkë, të kontrolloj territorin dhe të kontrolloj Shqipërinë dhe të blej vota. Por pyetja është: a ofron qeverisje për qytetarët? A ofron shtet më të mirë? A ofron ligj më të mirë? A më bind mua që, kur shkoj në polici, shefi që më takon nuk është kriminel dhe nuk ia dërgon deponimin tim kriminelit? A më bind mua që, kur shkoj në bashki, zyrtarët që më presin nuk janë të lidhur me krimin dhe unë po shkoj në një zyrë shtetërore? Më bind mua, kur shkoj në shërbimin sekret, që unë t’i besoj zonjës sekretet e shtetit dhe t’i besoj bashkëpunimin shtetëror, kur zonja vetë është e lidhur me krimin e organizuar?”.

Krasniqi shtoi se Kryeministri Rama, ashtu siç ka meritat për disa gjëra të mira që kanë ndodhur në Shqipëri, duhet të përballet me përgjegjësinë e gabimeve të tij. Ai e quajti normale që opozita të reagojë. “E vetmja gjë me të cilën s’jam dakord, po themi, me opozitën është që ka një problem opozita: i ka bërë të gjitha vetë dikur. I ka bërë... Siç na doli ky Roni i sotëm. Një Ron kemi sot nga Izraeli. Dikur kishim një Damjan (Damir Fazlliç), nga Bosnja. Një Damian nga Shtetet e Bashkuara. Ky është problem i madh. Ne duhet të nxjerrim mësime nga gabimet e kaluara, jo të përsërisim gabimet e kaluara”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos