Sherri Sula-Çollaku, Berisha akuzon për provokim, Basha mbrohet me Karabinën

Nga Anesti Barjamemaj
10 Nëntor 2023, 15:35 | Politikë

Konfliktin mes Dashnor Sulës dhe Kreshnik Çollakut, që për pak shkoi deri në përplasje fizike në korridoret e Kuvendit, Sali Berisha e cilësoi si provokim të deputetit që mbështet Lulzim Bashën. Kreu i Rithemelimit, iu referua pranisë së Çollakut në komisionin parlamentar, të cilin opozita po përpiqej ta bllokonte.

“Çdo deputet që i provokon ata në protestë, është provokator i ulët. Nuk provokohet protesta, ka një ligj. Ata deputetë, të cilët provokojnë kolegët e tyre në protestë për një kauzë absolute të drejtë, ata janë provokatorë të ulët. Sigurisht nuk jam për asnjë skenë, por njeriu në protestë është në protestë dhe nuk ka kush të drejtë ta provokojë”.

SALI BERISHA – PARTIA DEMOKRATIKE, RITHEMELIMI

Sjelljen e deputetëve të Bashës që nuk e kanë mbështetur aksionin e opozitës, Berisha e shpjegon me dosjen e lobimit rus, përmes së cilës mendon se i bëhet presion Lulzim Bashës

“Dosjen ruse ia mbylli McGonigal, për ta shitur Bashën te Edi Rama. Kaq ndodhi aty. A i mori para Bashës, McGonigal apo nuk i mori, unë nuk jam në këto. Por unë nuk kisha dyshime, jo më kot kisha shtruar përpara jush dhe shqiptarëve pyetjen: A mund të pyesni veten si ka mundësi që njeri, për të cilin ky po hetohej, ky po e hetonte sipas dokumenteve amerikane, ky tani pas dy vitesh nuk me shqipëronte emrin e tij, e kishte të ndaluar”.

SALI BERISHA – PARTIA DEMOKRATIKE, RITHEMELIMI

Partia Demokratike e drejtuar nga Basha reagoi përmes zëdhënëses Mirela Karabina, që në rrjetet sociale shkruan se McGonigal ka pranuar para gjykatës të gjithë operacionin kriminal me qëllim përbaltjen e Lulzim Bashës.

“Përpjekjet e mjerueshme për të ricikluar shpifjet e kundërshtarit politik, tregojnë hallin e madh të Sali Berishës. Ashtu si nuk e zgjidhi dot hallin me amerikanët dhe britanikët në 2 vjet mashtrime dhe sulme ndaj Lulzim Bashës, ashtu as nuk e fsheh as nuk e zgjidh dot me mashtrimet e dala boje as hallin që ka me SPAK”.

MIRELA KARABINA– ZËDHËNËSE E PD ZYRTARE

Sipas zëdhënëses së Bashës, fushata e Berishës tregon se për interesa personale ai është gati të përgënjeshtrojë edhe vetveten. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos