Me 8 mijë e 120 vota në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, u rendit i dyti në listën e hapur të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, por rezulati i mirë vetjak nuk i dha mundësinë që të fitonte mandatin e deputetit.
Pakënaqësitë për rezultatin i përktheu në ankesa në KAS e Kolegj Zgjedhor, ku kërkon rinumërim të votave, por në një intervistë për A2CNN thotë se luftën po e vijon edhe për legjitimitetin e kandidatëve.
“Unë do të vijojë me ankimime të tjera, sepse këtë betejë nuk e kam nisur thjesht për mandat, por për parimin për të vendosur një gurë themeli që çdo kandidat nesër në zgjedhjet e ardhshme të ketë të drejtë për t’u ankimuar. Kodi Zgjedhor që thotë se kandidatët nuk legjitimohen për mendimin tim ka shkelur kushtetutën, unë do vazhdoj ankimin në Kolegj Zgjedhor dhe në Gjykatën Kushtetuese dhe në rast se nuk e zgjidh do shkoj dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thotë Kalaja.
Përpara tij në listë me 1047 vota diferencë është Arjan Ndoja, por Aulon Kalaja pohon se luftën nuk e ka me kandidatët e tjerë brenda listës së PD apo me kundërshtarin, por me sistemin ku sfida e tij është ndryshimi i ligjit që kandidatët të kenë mundësi të ankohen edhe nëse partitë e tyre nuk i mbështesin.
“Unë mendoj që ai e ka bërë atë ligj që kandidatët nuk legjitimohen është një ligj antikushtetues. Prandaj është domosdoshëmëri, është imperativ i kohës që ky ligj jo për Aulon Kalanë por për kandidatët e tjerë se unë mund të mos kandidoj më, por të ketë mundësi që kur ta rrahin ta lenë të qajnë. Kaq e thjeshtë është”, shton ai.
Vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve për hapjen e një pjese të kutive në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja e quan një fitore të vogël, por shton se ka besim se deri në fund të procesit do të shkohet të hapja e të gjitha kutive.
“Me gjetjet që do të bëhen në kutitë që kanë vendosur të rinumërojnë ato do të detyrohen të hapin edhe pjesën tjetër të kutive”, deklaron Kalaja.
Trafikimi i votës është bërë në disa forma, pohon ai, ku nga leximi i parë i votës për subjektet te numërimi i votave për kandidatët fletët e votimit janë tjetërsuar për të favorizuar një prej emrave në listën e hapur.
“Nga këqyrja e pamjeve filmike, unë kam disa vota që janë votuar vetëm për emrin tim, pa logo partie dhe në numërimin e dytë është shënuar PS ose një parti tjetër. Në rast se unë kam pasur 4 vota në një tavolinë, më janë marrë dy dhe më janë lënë dy. Pra më janë hequr dy vota dhe i janë dhënë një kandidati tjetër”, shpjegon ai.
Në bazë të vendimit të KQZ, rinumërimi i votave do të nisë ditën e martë në pallatin e sportit “Farie Hoti”. Në fillim pritet të rinumërohen votat në qarkun e Tiranës, e më pas do të vijohet me Fierin, Durrësin dhe Elbasanin. (A2 Televizion)