
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi u pyet nga gazetarët nëse ka pasur një kërkesë nga shoqatat e transportit publik për rritjen e çmimit të biletave, pas rritjes së çmimit të naftës në vend, e ndikuar nga kriza në Lindjen e Mesme.
Karakaçi tha se është zhvilluar një takim me shoqatat e transportit urban dhe po diskutohet mundësia e rikthimit të skemës së subvencionit, e përdorur më parë në vitin 2022, raporton A2CNN.
“Jo më larg se para rreth dy orësh bashkë me ministren e Ekonomisë dhe Bashkinë e Tiranës ishim në takim me shoqatat e transportit urban dhe inter-urban. Situatën e çmimit të hidrokarbureve po e ndjekim me kujdes. Masa e para ishte Bordi i Transparencës, dhe elementi i akcizës. Në vazhdën e këtyre masave ishte edhe takimi i ditës së sotme. Po diskutohet elementi i një subvencioni. Kur e kemi miratuar në 2022-shin e kemi miratuar disa muaj pasi çmimi ishte e rritur, dhe ishte më i lartë se sa sot”, tha ministri.
Kujtojmë që në deklaratat e fundit Shoqata e Transportit Publik ka paralajmëruar se mund të rriten çmimet e biletave, në rast se do të mungojë mbështetja e ekzekutivit.
(A2 Televizion)