Berisha kritikoi Gonzaton një ditë më parë, reagojnë ambasadorët e vendeve të BE

Nga A2 CNN
10 Maj 2026, 11:01 | Politikë

Berisha kritikoi Gonzaton një ditë më parë, reagojnë

Një ditë pas deklaratave të kreut të PD-së Sali Berisha, i cili akuzoi në ditën e Europës,  ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, duke e quajtur ambasador të Edi Ramës, ka ardhur edhe reagimi i diplomatëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në një deklaratë të përbashkët të publikura në rrjetet sociale nga ambasadori i Qipros në Athinë, vendi që ka presidencën e BE-së,  Stavros Avgoustides thuhet se qëndrojnë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, ndërsa kritikat i cilësojnë të pajustifikuara.

“Në dritën e kritikave të pajustifikuara dhe të papranueshme ndaj Bashkimit Europian dhe përfaqësuesve të tij, ambasadorët e BE-së të akredituar në Shqipëri nxjerrin deklaratën e mëposhtme: Deklaratë e përbashkët e ambasadorëve të BE-së të akredituar në Shqipëri – 9 maj 2026. Në Ditën e Europës, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe rikonfirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar”, thuhet në deklaratë, raporton A2 CNN.

Një ditë më parë kreu demokrat, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, akuzoi ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato se diplomati ka thënë në Bruksel që opozita nuk mbështet integrimin e Shqipërisë.

“Përsa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur se ky sillet sikur të ishte ambasador i Edi Ramës. Mbase ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës, sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar shumë gjëra të tjera. Çfarëdo që të bëjmë ne, ambasadori i BE në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës në Bruksel. Dhe unë, duke shprehur keqardhjen time më të thellë, u bëj thirrje vendeve anëtare të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre, parlamenteve të vendeve anëtare të dërgojnë misione faktmbledhëse”, deklaroi Berisha, shkruan A2 CNN.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos