Shqipëria përparon me negociata, rruga drejt BE, Gjermania e Holanda nënvizojnë edhe kushtet

Nga Fjorela Beleshi
27 Maj 2026, 11:13 | Politikë

Konferenca e 8 ndërqeveritare Shqipëri-BE shënon një moment të rëndësishëm në procesin e negociatave për vendin tonë. Çdo nismë ligjore apo çdo lëvizje politike në Shqipëri do të jetë nën monitorimin e vendeve anëtare dhe institucioneve të BE.

Tanimë Shqipërisë i jepet mundësia për të nisur me mbylljen e kapitujve, me objektivin e qeverisë që brenda 2027 të përmbyllë këtë fazë.

Ndërsa në Bruksel festohej dhe përqafohej, në Tiranë ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Holandës i treguan qeverisë shqiptare që këto dy shtete do të monitorojnë me kujdes zbatimin e reformave, por me një paralajmërim se pavarësia e drejtësisë është kusht i panegociueshëm.

Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në rast të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim, si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave.

Por gjithsesi Gjermania dhe Holanda shprehin mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, edhe pse një dashuri me kushte.

Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj, hapat përpara në grupkapitullin e “Themeloreve” përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Dakordësia për IBAR është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.

Të martën në Bruksel, Shqipëria mori kushtet përmbyllëse për grupkapitullin e themeloreve që ka të bëjë me shtetin e së drejtës, funksionimin e demokracisë dhe kriteret ekonomike. Reformat për këtë grup kapitujsh janë të ndërlidhura edhe me kapitujt e tjerë, për këtë arsye është grupi i fundit që Shqipëria duhet të mbyllë me Brukselin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos