Deputeti Enkelejd Alibeaj, bashkëdrejtues i koalicionit Djathtas për Zhvillim, është shprehur se qyteti i Durrësit dhe gjithë Shqipëria është marrë peng nga krimi.
Komentet Alibeaj i bëri gjatë një takimi që zhvilluan bashkë me z. Dashamir Shehi dhe drejtues të tjerë të koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’ me qytetarët në Durrës.
Alibeaj tha se vota për koalicionin ‘Djathtas për Zhvillim’ me numrin 9 në fletën e votimit, është votë për të lënë pas të shkuarën dhe për të përqafuar vlerat e familjes dhe të Perëndimit.
“Problematika që ka ky qytet, është problematika që ka gjithë Shqipëria. Ky qytet, qyteti më i rëndësishëm në aspektin historik dhe ekonomik, nuk mund të jetë pre e krimit. Kjo është një simptomë që ka mbuluar gjithë Shqipërinë, e rrjedhur drejtpërdrejt nga keq-qeverisja e Edi Ramës.
Ne sot jemi këtu për t’u thënë qytetarëve të Durrësit, se të vjetrën dhe të shkuarën duhet ta lënë mënjanë. Duhet të votojnë për veten e tyre, për njerëzit e tyre. Pra për qytetarë të Durrësit. Kjo është alternativa jonë, të votojnë numrin 9, të votojnë veten e tyre”, tha Alibeaj. (A2 Televizion)