“Shqipëria sa Roma”, Kos: Integrimi i mundur pa implikime financiare

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2025, 15:22 | Politikë

“Shqipëria sa Roma”, Kos: Integrimi i mundur pa implikime

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, tha se integrimi në union i vendeve si Shqipëria është plotësisht i mundur dhe pa kosto të mëdha financiare.

“Mali i Zi ka 600 mijë banorë, po aq sa Anteverp. Shqipëria ka 2,4 milionë banorë, po aq sa Roma. Pra janë 3 milionë njerëz. Jam e sigurt se BE mund t’i integrojë këto dy vende anëtare pa pasur implikime të mëdha financiare”, tha Kos në një konferencë për mediat pas publikimit të progres raportit të fundit për vendet kandidate.

Ajo shtoi se Shqipëria ka bërë progres të paprecedentë, por gjithsesi mbetet ende shumë punë për t’u bërë. E pyetur sa realist është viti 2027 për mbylljen e negociatave ajo u përgjigj: “Kjo varet nga rezultatet e qeverisë dhe gjithë qytetarët shqiptarë. Përmbyllje e procesit është e mundur, por ka ende shumë punë për të bërë dhe po flas këtu për përmbylljen e procesit të negociatave. Më pas duhen një ose dy vjet që vendi të bëhet anëtar me të drejtë të plota në BE”, u përgjigj Kos.

A2 CNN e pyetur Komisioneren edhe nëse Bashkimi Europian e ka në konsideratë mundësinë e anëtarësimit të Shqipërisë si vend pa të drejtë vote, një ide që është hedhur disa javë më parë edhe nga Kryeministri Edi Rama. “Nuk ka asnjë diskutim për sa i përket të drejtës së votës, nuk kemi asnjë lloj debati në komision, për t’i ndarë shtetet anëtare në dy kategori”, tha Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së A2 CNN, Fjorela Beleshi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos