“Është i paprekshëm”, gazetari Rada: Rama mund të bëjë një ligj që të mbrohet nga drejtësia

Nga A2 CNN
12 Mars 2026, 22:15 | Politikë

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, gazetari Ardit Rada foli për vendimin për mosheqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke e konsideruar të arsyeshëm këtë vendim, pasi sipas tij ish-zëvendëskryeministres ende nuk i është gjetur dhe sekuestruar asgjë. Gazetari shtoi gjithashtu se kërkesa e opozitës për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut është e padrejtë.

“Atij që SPAK i ka sekuestruar 27 apartamente është kryetar opozite në Shqipëri. Ndërsa kësaj zonje, të cilës nuk i kanë gjetur ende asnjë tjegull, i kërkohet arrestimi dhe ashpërsimi i masës së sigurisë. Pastaj dilni ju, të cilët shpresoni te Altin Troplini dhe Altin Hajri, që i këndoni këngën çdo ditë para SPAK-ut, duke shpresuar që të fusin në burg këtë zonjë mbi akuzat që ka bërë Gazmend Bardhi me Lulëzim Bashën sa herë që kanë shkuar atje te SPAK-u. Dhe gjithmonë goditja ndaj kësaj zonje ka ardhur pikërisht pas zgjedhjeve”, tha gazetari.

Ndërsa në lidhje me mundësinë që kreu i mazhorancës të ndryshojë ligjin duke e bërë veten të paprekshëm përballë drejtësisë, Rada u shpreh se nëse kjo ndodh, mund të realizohet përmes bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës, pasi sipas tij edhe opozita është e interesuar të mbrohet nga goditjet e drejtësisë.

“Edi Rama nuk e ka fshehur, edhe në mbledhjen e fundit ku foli publikisht, që Partia Socialiste mund të rishikojë nga sot e tutje pozicionin e saj përballë organeve të drejtësisë dhe përballë sjelljes së SPAK-ut dhe GJKKO-së, me vendime, me paraburgime dhe me çdo gjë tjetër, kryesisht ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Kjo nuk është më sekret. Problemi është se sa thellë do të shkojmë dhe nëse kjo do t’i shërbejë vetëm Partisë Socialiste për të mbrojtur një individ të veçantë. A do të ndodhë ajo që thoni ju, pra që Rama ka deklaruar se është i paprekshëm? Unë nuk di që ai ta ketë deklaruar këtë”, u shpreh Rada.

“Mund ta bëjë edhe me ligj këtë gjë që të bëhet totalisht i paprekshëm. A do të shkojë deri këtu Partia Socialiste? A do ta bëjë këtë bashkë me opozitën? Sepse edhe opozita ka një grup parlamentar me 40–50 deputetë, nga të cilët rreth 15 kanë çështje në SPAK dhe paraqiten atje. Pa përmendur akuzat që kanë ndaj njëri-tjetrit për biznese apo histori të tjera, për të cilat akuzohen apo janë paditur”, tha gazetari Rada, duke lënë të kuptohet se një veprim i tillë mund të siguronte mbrojtje nga drejtësia për deputetë si të pozitës ashtu edhe të opozitës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos