Politologu Afrim Krasniqi duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN kritikoi ashpër reagimet publike në Shqipëri ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korupsion, duke i konsideruar ato shokuese dhe të papajtueshme me standardet europiane.
Krasniqi tha se komentet në portalet shqiptare tregojnë një mentalitet që, sipas tij, i ngjan periudhës së vitit 1967. Sipas tij, është e vështirë të gjesh në Europë një shoqëri që mbron publikisht zyrtarët e akuzuar për korrupsion.
“Kam parë sot portalet në Shqipëri dhe komentet kanë qenë shokuese për një vend që pretendon se është europian, që flet gjuhë të huaja dhe përfaqëson vlera europiane. Nuk gjen popull tjetër në Europë që mbron zyrtarët e akuzuar për korrupsion siç ndodh tek ne”, u shpreh ai.
Politologu theksoi se një pjesë e madhe e komenteve në një portal kryesor në vend, sipas tij i lidhur me një këshilltar të qeverisë, drejtonin kritikat ndaj Gjermanisë.
“Kur i mbledh për të bërë një pasqyrë të reagimeve në Shqipëri, është shokuese. E kupton që ky popull është në vitin ’67. Është dhënë fletërrufeja aty dhe të gjithë duhet ta ndjekin”, tha Krasniqi.
“Imagjinoni çfarë do të ndodhte sot nëse Parlamenti do jepte miratimin, të gjithë ambasadorët do dilnin pro Parlamentit dhe nuk do ndodhte asgjë. Zonja do shkonte në shtëpi përsëri dhe SPAK do të priste nëse do të kishte një dokument të ri”, shtoi politologu.
(A2 Televizion)