“Është një gangrenë”, Berisha akuza Ramës: Po mban peng integrimin e Shqipërisë në BE

Nga A2 CNN
13 Maj 2026, 13:35 | Politikë

“Është një gangrenë”, Berisha akuza Ramës:

Kredemokrati Sali Berisha akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po mban peng integrimin e Shqipërisë në BE. Sipas Berishës vendin po e drejton “një organizatë kriminale”, që s’ka asnjë interes përveç të ardhmes së saj dhe fëmijëve të tyre. 

Çdo ditë e më shumë bëhet botërisht e qartë se Edi Rama është një gangrenë siç shprehet sot një publicist i mirënjohur për të, Michael Rubin, një gangrenë që duhet hequr sa më parë. Në këtë kuadër, mendoj se opozita në kushte të një narkodiktature, po qëndron fuqishëm si zëri i vërtetë i shqiptarëve që besojnë tek vlerat e lirisë, që shpresojnë të kenë një të ardhme që meritojnë dhe këtë të ardhme më të mirë është e ardhmja në BE. Nuk ka projekt më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe kombin se sa vendosja e Shqipërisë në këtë komunitet ashtu siç e projektonin rilindësit tanë, zonjë midis vendeve të tjera të Evropës. Por ky proces, siç faktohet çdo ditë e më shumë, është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë, me kreun e saj të Meduzës, Edi Ramën. Shqiptarët duhet ta dinë se këta nuk kanë absolutisht asnjë interes për të ardhmen e tyre, përveçse për të ardhmen e vet dhe parajsën e tyre dhe të fëmijëve të tyre me paratë e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha, shkruan A2CNN.

Për ta, integrimi evropian është një proces krejtësisht i padëshirueshëm sepse ky proces ka disa rregulla, ligje, standarde që përparësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk pranon qeveritarët hajdutë, nuk pranon lidhjet me krimin të qeveritarëve. Ky proces kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, të votës së lirë të shqiptarëve, por edhe funksionimin e ekonomisë së tregut dhe rregullave të tregut. Opozita ka zgjedhur në këto kushte të qëndrojë e pamposhtur si zëri i ndërgjegjes së këtij kombi, që kërkojnë me çdo kusht ta izolojnë, ta poshtërojnë dhe ta largojnë nga rruga e integrimit”, vijoi kreu i PD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos