
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar përmes një postimi në “X” pas interpretimeve mbi një deklaratë të tij lidhur me protokollin mes Shqipërisë dhe Italisë.
Hoxha shpjegon se gjatë një pyetjeje nga një gazetar në Bruksel mbi mundësinë e rinovimit të protokollit pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare, ai është përgjigjur se nuk ishte i sigurt, duke shtuar se deri atëherë Shqipëria mund të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata mund të jetë ndryshe.
Sipas tij, deklarata ka qenë thjesht një reflektim spontan dhe jo një vendim apo ndryshim i qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj marrëveshjes, shkruan A2CNN.
"Një sqarim i nevojshëm: Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.” Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet. Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin. Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti. Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive", shkruan Ferit Hoxha në platformën "X". (A2 Televizion)