Presidentja e Komisionit Europian nuk erdhi me një datë për anëtarësimin në BE, por me duar plotë. Ursula Von Der Leyen njoftoi nisjen e zbatimit të planit të rritjes ku arkës së shtetit shqiptar do t’i shtohen mbi 920 milionë euro nga Bashkimi Evropian.
“Keni bërë një punë të shkëlqyer të reformave. Tani duhet të fillojmë me parafinancimin me 664 milionë euro deri në fund të vitit. Cilësia e reformave është e mirë kështu që edhe këtë vizion e kemi të qartë. Gjithsej, Shqipëria do të marrë më shumë se 920 milionë euro nga plani i rritjes. Nëse gjërat ecin si duhet, ne ndoshta do të hapim të gjithë grupkapitujt deri në fund të vitit të ardhshëm. Nuk kemi një datë, por duhet bërë e gjithë puna për t’u bërë shtet anëtar”, tha Von der Leyen, shkruan A2.
Kjo vizitë e presidentes të Komisionit Evropian përkoi ne një moment të tensionuar të politikës shqiptare, ku opozita kishte marrë avionin për të protestuar në Parlamentin Evropian kundër qeverisë së Edi Ramës, akt i cili mori përgjigjen nga vetë kreu i qeverisë. “Ne nuk mund të qëndrojmë në vend dhe ta vajtojmë këtë situatë, por të vazhdojmë përpara, të bëjmë detyrat dhe siç arritëm Shqipërinë në tryezën e negociatave, të arrijmë ta ulim Shqipërinë përfundimisht në tryezën e Këshillit Europian si një vend anëtar”, tha Rama.
Agjenda e Ursula Vonde der Leyen në Tiranë parashikonte edhe inaugurimin e Kolegjit Evropian në Tiranë ku zyrtarisht nisi edhe viti i parë akademik. (A2 Televizion)