Ankimimi i Ramës, Gjykata Kushtetuese shtyn për në datën 12 dhjetor vendimin për çështjen ‘Balluku’

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2025, 16:28 | Politikë

Ankimimi i Ramës, Gjykata Kushtetuese shtyn për në datën 12

Është shtyrë sërish mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të shqyrtuar ankimimin e kryeministrit Edi Rama për çështjen e zëvendës-kryeministres Belinda Balluku.

Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se Kushtetuesja do të vendosë në datën 12 dhjetor nëse çështja ‘Balluku’ do të kalojë për shqyrtim ose jo.

Kjo shtyrje mësohet se vjen për shkak të kompleksitetit të çështjes. Më herët u vendos që mbledhja e gjyqtarëve të Kushtetueses të mbahej të enjten, por sot u vendos që kjo mbledhje të shtyhej për në datën 12 dhjetor.

Me firmë të kryeministrit Edi Rama, më 21 nëntor Këshilli i Ministrave çoi për apelim në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zëvendëskryeministre. Katër janë kërkesat e qeverisë, që si fillim kërkon nga “Kushtetuesja” të ndajë se ku fillon e ku mbaron “pushteti i drejtësisë” nga njëra anë dhe “pavarësia e ekzekutivit” nga tjetra, shkruan A2.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj, pas marrjes së pandehur nga ana e SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Ndërkohë Balluku ka ankimuar të martën në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e Shkallës së Parë për pezullimin e saj dhe masën tjetër të sigurisë, atë të “daljes jashtë vendit”. Në Apel, Balluku kërkon prishjen e vendimit të shkallës së parë dhe shfuqizimin e masave të caktuara ndaj saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos