Pjesëmarrës në diskutimet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara u bënë thirrje administratës së presidentit Donald Trump të angazhohet më shumë në Ballkanin Perëndimor, për të promovuar balancë në rajon dhe për të parandaluar një konflikt në të ardhmen, shkruan A2 CNN.
Në nisje të seancës mbrëmjen e së martës, kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën agresionin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”.
Sipas tij, marrëdhëniet e pazgjidhura të Serbisë me Kosovën janë një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, çka më tej i mundëson Rusisë të minojë Bashkimin Evropian dhe aftësinë e NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit. Kongresmeni u ndal veçanërisht edhe te Shqipëria, duke theksuar se duhet rishikuar reforma në drejtësi.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh përpjekjet për të ndërtuar një gjyqësor të pavarur dhe të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Megjithatë, pas dhjetë vitesh zbatim, është e përshtatshme të rishqyrtohet nëse reforma në drejtësi po funksionon siç është menduar dhe po ofron drejtësi të paanshme për popullin shqiptar. Duhet të jetë shqetësuese për të gjithë që numri i rasteve të prapambetura gjyqësore në nivel kombëtar është zgjeruar nga afërsisht 16,000 raste në fillim të reformës në rreth 200 000 sot, duke i lënë qytetarët të presin 8 deri në 15 vjet për të marrë një vendim përfundimtar. Vonesa të tilla dëmtojnë sundimin e ligjit, besimin publik dhe procesin e rregullt ligjor”, tha ai.
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, u ndal gjithashtu te Shqipëria, duke vlerësuar progresin drejt anëtarësimit, por duke shprehur shqetësim për vonesat në gjyqësor, ndërhyrjet në zgjedhje dhe atë që e cilësoi si rënie të pluralizmit politik.
“SHBA-të duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të ngushtë me Tiranën, një aleat besnik i NATO-s dhe partner i SHBA-së. Uashingtoni duhet të ngrejë pyetje në lidhje me sundimin e ligjit, integritetin dhe efikasitetin gjyqësor, arrestimet dhe ndjekjen penale të udhëheqësve të opozitës, si dhe rënien e pluralizmit politik”, u shpreh ai, përcjell A2 CNN.
Teksa pohoi se asnjë aktor i vetëm, vendas apo ndërkombëtar, nuk është plotësisht përgjegjës për tensionet dhe dobësitë e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, Joseph tha se “një parakusht për stabilitet mbetet i paplotësuar: Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për rajonin”. Ai theksoi se ka ardhur koha që SHBA të jetë më e vendosur në orientimin e Beogradit drejt një zgjedhjeje përfundimtare strategjike, duke shtuar se rruga euroatlantike është zgjedhja e vetme racionale për Serbinë, e cila, sipas tij, nuk duhet të bëhet Bjellorusia e Ballkanit. (A2 Televizion)