Pezullimi i Ballukut pengon nisjen e fluturimeve me Kanadanë, Rama shpjegon pse i kërkoi Kushtetueses heqjen e masës

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2025, 15:59 | Politikë

Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në platformën ‘X’, ka sqaruar arsyet pse i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për heqjen e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas tij, pezullimi ka krijuar pasoja konkrete në funksionimin e qeverisë dhe në projekte të rëndësishme për interesin publik.

Rama bëri të ditur se është drejt finalizimit marrëveshja dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve transoqeanike, por procedura ndodhet e bllokuar prej kësaj arsye.

“Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthim-përgjigja pozitive e palës kanadeze i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes për fluturimet ajrore transoqeanike. Mirëpo kjo procedurë nuk mund të vijojë, sepse autoritetin ekskluziv për miratimin dhe nënshkrimin e saj Kushtetuta ia jep ministrit”, deklaroi Rama.

Sipas tij, pezullimi i Ballukut rrezikon afatin e planifikuar për nisjen e linjës ajrore.

“Pezullimi në fjalë vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit”, theksoi shefi i qeverisë.

Kryeministri shtoi se bllokimi nuk kufizohet vetëm te marrëveshja me Kanadanë, por prek edhe dhjetëra akte të tjera të ministrisë. “Aktualisht ka 36 akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, mes tyre 18 akte për rindërtimin, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin. Çdo ditë që zgjat pezullimi, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara”, u shpreh Rama.

Kreu i ekzekutivit po ashtu e cilësoi pezullimin e një anëtari të qeverisë si një rast unik dhe të paprecedentë. “Të pezullosh një ministër për herë të parë në botë, sjell pasoja që cenojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik”, theksoi kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos