Gazetari Lutfi Dervishi ka debatuar me deputeten socialiste Aulona Bylykbashi në lidhje me skemën e pensioneve dhe situatën ekonomike të kësaj kategorie në Shqipëri.
Gjatë replikave në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Dervishi theksoi se skema e pensioneve është e dështuar, pasi financohet mbi 30 për qind nga buxheti i shtetit.
Deputetja Bylykbashi pranoi se mazhoranca duhet ende të bëjë shumë për pensionistët, por sipas saj po punohet dhe ata janë prioritet për PS-në.
DEBATI
Bylykbashi: Sigurisht ne jemi akoma shumë në borxh me pensionistët, por që jemi duke punuar çdo ditë dhe ata janë një nga prioritetet tona, për t’i trajtuar me dinjitet, ashtu siç u takon. Sepse në fund të ditës pensionistët janë ata që i kanë dhënë besimin e plotë PS-së për të bërë këtë rrugëtim.
Dervishi: Nuk ecën larg vetëm me fjalë dhe propagandë. Skema e pensioneve është e dështuar. Mbi 30 për qind e buxhetit shkon për skemën e pensioneve që do të thotë se është skemë e falimentuar. Reformë do të thotë të kesh një skemë krejt tjetër që mos ketë nevojë për injektim nga buxheti. Kjo pjesa që jemi përmirësuar tani dhe po i rrisim është krejt kot…A e dini sa për qind e pensionistëve janë në punë? Janë 20 për qind.
Bylykbashi: Sepse kanë dëshirë të punojnë. E drejta për pension, është e drejtë, s’është detyrim. Individi ka të drejtë të dalë në pension, nëse do të dalë.
Dervishi: S’kam parë ende ndonjë 70 vjeç që të shkojë me qejf roje në turnin e tretë.
(A2 Televizion)