Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, ka mbështetur qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me deklaratat për sigurinë në Kryeministri, duke theksuar se institucioni më i lartë ekzekutiv i vendit nuk mund të trajtohet si një ambient privat apo “paçavure”.
Meçe u shpreh se deklarata e Ramës është keqinterpretuar dhe deformuar qëllimisht. “Kryeministri nuk ka thënë pse erdhët me armë, por ka thënë se nuk mund të futesh me armë në Kryeministri. Janë dy gjëra krejt të ndryshme”, tha ai, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë të hyjë i armatosur në një institucion shtetëror të këtij niveli. “Nëse Kryeministrinë e shihni si shtëpi private, ky nuk është problemi i kryeministrit, por i atyre që e mendojnë kështu”, theksoi Meçe.
Ai u ndal edhe te debati për dosjen e publikuar në media, duke sqaruar se ajo që qarkullon aktualisht është vetëm dosja e masës së sigurisë dhe jo dosja e plotë hetimore. “Në këto dokumente nuk ka prova konkrete. Dosja e vërtetë është shumë më e madhe, rreth 6 mijë faqe, ndërsa ajo që lexohet publikisht është vetëm një ekstrakt prej disa dhjetëra faqesh”, u shpreh analisti. (A2 Televizion)