“Sot fillojmë. Se kur do të mbarojmë do t'ju themi ditën që do të rrëzohet ky narkoregjim dhe do t'i jepet vendit qeveria teknike”. Kështu u shpreh për A2 CNN, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në një lidhje me Ditarin e Pandi Gjatës, në prang të nisjes së protestës së opozitës në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
“Ne sot çelim një sipar protestash dhe do të ketë vazhdimësi deri kur të gjunjëzohet narkoregjimi dhe deri kur Shqipëri të krijohet qeveria teknike për t'i dhënë rrugë këtij vendi, sepse ky vend me këtë bandë plaçkitësish po shkon drejt humnerës”, tha Noka për A2 CNN .
Edhe pse u tregua hermetik për detajet e protestës, Noka tha se të gjithë skenarët janë të mundshëm.
“Të gjitha skenarët do të janë të hapur. Do t'i diskutojmë dhe do të vendosim. Pra ajo që mund të di t'ju them sot tani me saktësi është sot fillojmë. Se kur do të mbarojmë do t'ju themi ditën që do të rrëzohet ky narkoregjim dhe do t'i jepet vendit qeveria teknike”.
Ai theksoi se arsyet e protestës mbështeten në prova dhe fakte që ndodhen në duart e drejtësisë. Noka përmendi dosjen e AKSHI-t, duke akuzuar qeverinë se ka funksionuar si një organizatë kriminale dhe plaçkitëse, ku të dhënat sensitive të shqiptarëve dhe tenderët publikë janë kontrolluar nga krimi i organizuar.
“Tashmë janë në duart e drejtësisë prova të rënda që qeveria ka funksionuar si një organizatë plaçkitësish, pra si një organizatë kriminale. Ka prova të rënda tek dosja e AKSHI-t që koordinatori i krimit të organizuar me qeverinë Ergys Agasi së bashku me kartelet kanë vjedhur dhe disponojnë sot të dhënat sensitive të shqiptarëve dhe që kanë kontrolluar, koordinuar dhe drejtuar çdo tender dhe koncesesion të këtij vendi. Pra, sot ekonomia dhe jetët e shqiptarëve varen në duart dhe të dhënat e shqiptarëve sigurisht varen në duart e krimit të organizuar. Pra, këto janë arsye madhore që shqiptarët duhet të protestojnë. Tashmë nuk janë të thëna, e përsëris nga opozita, por janë me prova dhe me fakte në duart e drejtësisë. Shteti ka funksionuar si organizatë kriminale dhe si organizatë plaçkitësish”, theksoi Noka për A2 CNN.
Sipas tij, sot ekonomia dhe e ardhmja e vendit janë në rrezik dhe u bëri thirrje qytetarëve për të protestuar.
“Çdo qytetar sot ka arsye dhe motiv për të protestuar sepse është i vjedhur, është i dhunuar, është i rrezikuar dhe i kërcënuar dhe e ardhmja e këtij vendi sot është në pikëpyetje me këtë bandë kriminale në pushtetit”. (A2 Televizion)