
Gazetari Armir Shkurti ka paralajmëruar se projekti SmartCity i propaganduar nga Rama për vendosjen e mijëra kamerave në 20 qytete të Shqipërisë, është në fakt patronazhim me inteligjencë artificiale.
Komentet Shkurti i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se ‘syri magjik’ do të na kontrollojë çdo lëvizje që bëjmë.
Ai e cilësoi këtë projekt si shkelje të hapur të të drejtave të njeriut dhe shtoi se gjëra të tilla ndodhin vetëm në diktaturat lindore.
“Ka dalë Edi Rama javën e kaluar dhe ka folur për SmartCityn dhe syrin magjik që do ta ketë policia, për të kontrolluar gjithçka në 20 qytete. Kjo është shitur si një gjë e mirë, por faktikisht ky është patronazhisti me AI. Thotë ‘unë fus portretin tënd dhe kudo ti je i kontrolluar’. Pra ti do të jesh i super kotrolluar nga një qeveri e super kontrolluar, nga një pushtet i super kontrolluar. Është shumë më keq sesa ne e perceptojmë këtë çështjen e lirive”, tha mes të tjerash Shkurti. (A2 Televizion)