Asllan Dogjani, ish-deputet i Partisë Demokratike, i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë thellë mbi çështjen e SHISH-it, pasi, sipas tij, “nuk dihet çfarë mund të jetë bërë me Shërbimin Informativ”.
“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë, duke e parë në këndvështrimin e sigurisë kombëtare. Të arrijë drejtuesi i SHISH-it të bashkëpunojë me personat në kërkim, për mua është vetëm ana sipërfaqësore. Çfarë mund të jetë bërë te SHISH-i, nuk dihet. SHISH-i është strukturë që grumbullon informacion për rrezikun që i kanoset vendit, shqiptarëve kudo në botë, ne nuk e dimë si është përdorur ky shërbim. Kur arrin drejtuesi të bashkëpunojë me Agasin dhe të nxjerrë sekretin hetimor, nuk e dimë se si e ka përdorur tjetër drejtuesi SHISH-in. SPAK-u duhet të hetojë thellë. Unë kam informacion që 29 vende kanë ndërprerë marrëdhëniet me SHISH-in dhe ky është dëm i madh”, tha Dogjani në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Nga informacionet e medias, vizitën e parë e ka bërë në Beograd. Duhet parë atëherë si është emëruar kjo? A është emëruar në përputhje me ligjin. Edhe një punonjës i thjeshtë i SHISH-it futet në sitë. Pse e ka bërë vizitën e parë në Beograd pasi është emëruar këtu? Cila është arsyeja që Edi Rama zgjodhi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it? SPAK-u sot, pavarësisht rezervave të mia që kam ndaj tij, duhet të bëjë një hetim të thellë sepse nuk e dimë sa është cenuar siguria kombëtare”, shtoi Dogjani. (A2 Televizion)