Sulmet kibernetike të lidhura me Iranin ndaj institucioneve shqiptare rikthehen sërish në vëmendje, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për rreziqet që lidhen me situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme. Gazetari Enver Robelli foli për këtë çështje në emisionin Off the Record me gazetarin Andrea Danglli.
Sipas Robellit, rikthimi i sulmeve kibernetike nga hakerë të lidhur me Iran nuk është një surprizë, pasi Shqipëria ka pasur edhe më parë përplasje në këtë fushë me Teheranin. Ai theksoi se vendi ishte paralajmëruar për rreziqe të tilla, sidomos në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur.
“Nuk besoj se është një befasi e madhe, pasi Shqipëria ka një përvojë jo të mirë me Iranin sa i përket sulmeve kibernetike,” u shpreh Robelli. Ai shtoi se pas sulmeve të mëparshme, qeveria kishte deklaruar se ishin marrë masa për të mbrojtur të dhënat dhe sistemet shtetërore, por zhvillimet e fundit ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e tyre.
“Nëse informacionet për atë që ka ndodhur natën e kaluar janë të sakta, atëherë duket se nuk janë marrë masat e duhura për të parandaluar një situatë të tillë,” theksoi ai.
Megjithatë, Robelli nënvizoi se mbrojtja nga një fuqi e madhe kibernetike si Irani është jashtëzakonisht e vështirë. Ai përmendi edhe përplasjet kibernetike mes Iranit dhe Izrael, ku të dy vendet kanë arritur të depërtojnë në infrastrukturat e njëri-tjetrit për qëllime përgjimi dhe monitorimi, shkruan A2 CNN.
“Irani ka një infrastrukturë jashtëzakonisht të zhvilluar të sulmeve kibernetike dhe ka qenë aktiv jo vetëm në rajon, por edhe në vende europiane,” tha Robelli
Ai shtoi se Shqipëria është ekspozuar më shumë ndaj këtyre rreziqeve edhe për shkak të pranimit të një pjese të opozitës iraniane në vend. Sipas tij, aktivitetet politike të kësaj opozite duhet të ishin monitoruar më herët nga autoritetet shqiptare.
“Shqipëria i ka shpëtuar këta njerëz nga një masakër e sigurt, por mikpritja nuk duhet të keqpërdoret për aktivitete që mund të rrisin tensionet me Iranin,” tha gazetari. (A2 Televizion)