Takime të ndara Meta dhe Basha tregojnë zgjidhjet për problemet në bujqësi

Nga Marjo Brakaj
24 Maj 2024, 13:57 | Politikë

Në tryeza të ndara dhe me ekspertë të ndryshëm, Ilir Meta dhe Lulzim Basha fokusin, këtë të premte, e kishin te bujqësia.

Presidenti i Partisë së Lirisë, gjatë një takimi me ekspertë edhe njëherë programin për bujqësinë duke treguar dhe objektivin kryesor që ka forca politike që ai drejton. 

“Ne i japim përmes programit tonë një goditje dërrmuese në radhë të parë shpopullimit, i cili shtyllën kryesore të realizimit të tij e ka te braktisja e fshatit, e braktisja e bujqësisë dhe e blegtorisë”.

Për të realizuar këtë objektiv, Meta tregoi dhe masat konkrete që do të ndërmarrin nëse pas zgjedhjeve të vitit 2025, do të vijnë në pushtet.

“Që në vitin e parë do jetë 30 miliardë lekë, me një rritje progresive për vitet në vijim. Do të hiqet zgjedha tatimore. Do të jepet pagesë e menjëherëshme prej 10 mijë euro për çdo biznes të ri bujqësor dhe përjashtim nga taksat dhe tatimet për 5 vitet e para.”

Nga ana tjetër, Lulzim Basha bashkë me ekspertë pranë Partisë Demokratike po vijojnë diskutimet për programin për bujqësinë që pritet të prezantohet në Kuvendin e 1 qershorit.

Në një postim në mediat sociale, Basha premton se programi i Partisë Demokratike zyrtare do t’u japë zgjidhje shumë problemeve në këtë sektor.

 “Përmes subvencioneve dhe investimeve në këtë sektor, ne do të bëjmë të mundur që fermerit t’i garantohet që prodhimi t’i shitet me fitim, si kudo në botë. Një nga çështjet më të rëndësishme, që ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë, është edhe çështja e pronës”.

Sipas Bashës, problem madhor është korrupsioni, ndaj me goditjen e këtij fenomeni qeveria do të ketë mundësi për më shumë fonde për këtë sektor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos