Nga fjalët te veprat. Partia Demokratike pritet që të nisë negociatat me partitë politike dhe rrymat e dala nga protesta për gjetjen e kandidatëve konsensual për bashkitë e vendit. Sali Berisha tha se nuk do mbetet vetëm te kërkesa publike por shumë shpejt do të ulen në tryezë pa asnjë paragjykim, pasi sipas tij kërkesa për bashkim vjen edhe nga ndërkombëtarët.
“Ndërkombëtarët, miqtë e vërtetë, kanë një këshillë: Bashkohuni! Dhe ua kanë thënë: Bashkohuni si opozitë! Të bashkohemi në pluralitetin tonë, në identitetet tona, por të bashkohemi kundër një të keqeje më të madhe, një rreziku ekzistencial kombëtar që është Edi Rama”.
Berisha tha se këto zgjedhje do të tregojnë se kush është kundër Edi Ramës dhe kush po bën luftë false më të.
“Secili nga ne të dëshmojë vullnetin e tij për t'u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama, bashkërisht. Secili nga ne duhet të qartësohet, e konsideron Edi Ramën dhe regjimin e tij një rrezik ekzistencial apo jo?”
Berisha u pyet edhe për identifikimin elektronik, por nuk qartësoi qëndrimin e PD.
“Identifikimi elektronik është akuzuar për abuzime shumë serioze. Gjer dhe për çipe që informojnë se kush votoi dhe kush s'votoi, e të tjera me radhë”.
Kreu i Partisë Demokratike pohoi gjithashtu se do të depozitojnë amendamente për buxhetin. (A2 Televizion)