Takimi me deputetin gjerman në PD, Berisha: Kjo qeveri po bllokon negociatat me BE

Nga Anesti Barjamemaj
10 Mars 2026, 15:39 | Politikë

Deputeti i Bundestagut, Peter Beyer prej të dielës ndodhet në Tiranë ku ka zhvilluar takime me zyrtarët e mazhorancës dhe opozitës. Pas vizitës në ministrinë e Jashmte, Kuvend, deputeti gjerman ngjiti mesditën e së martës edhe shkallët e PD.

Për më shumë se një orë, Beyer ishte në zyrën e Berishës, ku në përfundim të takimit zbuluan edhe se çfarë kishin diskutuar.

“E njoha edhe me pengesat e mëdha, serioze, shumë të mëdha, me gjendjen e bllokimit të plotë të sistemit të drejtësisë, kartelet e drogës dhe fuqinë e tyre shumë të madhe për shkak të lidhjeve të niveleve më të larta dhe vështirësi të tjera me të cilat ne përballemi, por edhe vendosmërinë tonë për të vazhduar përpjekjet në këtë vend që të realizojmë projektet që kemi”, tha Berisha.

“Diskutuam gjithashtu se çfarë mund të bëjmë më shumë për të siguruar një perspektivë shumë të mirë dhe një të ardhme të mirë për Shqipërinë, për popullin shqiptar dhe për sistemin politik të këtij vendi. Kjo, sigurisht, lidhet edhe me nevojën për një qasje shumë të qartë, transparente dhe të hapur sa i përket sistemit të drejtësisë në këtë vend. Për këtë kemi folur dhe kemi shqyrtuar se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku për përmirësimin dhe për të mirën e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Beyer. 

Deputeti gjerman në fjalën e tij krah Berishës, tregoi dhe detaje nga vizita që do të zhvillojnë deputetët shqiptarë në Gjermani gjatë javës së ardhshme, ku fokusi do jetë te integrimi i Shqipërisë në BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos