Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla u bëri thirrje demokratëve që të reflektojnë në lidhje me pjesëmarrjen në komisionet parlamentare.
Duke folur për mediat, ai vuri në dukje se mazhoranca do të presë edhe sot opozitën, përndryshe nesër “Territorialja” do të vijojë me formulën e PS-së.
“U kam bërë një kërkesë kolegëve të PD-së që të reflektojnë sa i përket detyrimit që kanë për të zbatuar vendimin e Kuvendit për ngritjen e komisionit të posaçëm për Reformën Administrative Territoriale”, tha Balla, raporton A2 CNN.
“Si hap i parë ky mekanizëm zhbllokues do aplikohet nesër te komisioni i posaçëm i Reformës Administrative territoriale, nesër, por unë besoj dhe shpresoj se do ketë reflektim. Gjithëpërfshirja dhe dialogu e ka parakusht të vetin pjesëmarrjen. Me kë të dialogoj dhe cilin të përfshij nëse ai nuk vjen?!”, iu përgjigj Balla gazetarëve. (A2 Televizion)