Raporti i Transparency International, Shqipëria bie 11 vende në renditjen për korrupsion: Sulmohet drejtësia

Nga Xhevahir Qardaku
10 Shkurt 2026, 11:46 | Politikë

Shqipëria është zhytur në korrupsion përgjatë vitit të fundit. Këtë rezultat e prezantoi Transparency International përmes raportit të saj. Nga 42 pikë që kishte në vitin 2024, Shqipëria ka rënë në 39 pikë në renditjen e organizatës ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit, duke humbur 3 pikë dhe zbritur me 11 vende në renditjen globale.

Vitin e kaluar, vendi ynë renditej i tetëdhjeti mes 180 vendeve, ndërsa sot renditet në pozicionin e 91. Sipër nesh është Tanzania, Maqedonia e Veriut dhe Kuba.

Raporti përmend Shqipërinë sa i përket çështjeve mjedisore. Transparency International tha se mungesa e procedurave konkurruese ka çuar në “rrezik për degradim mjedisor në rastin e ishullit të Sazanit në Shqipëri”.

“Përqendrimi i pushtetit, ndikimi i tepruar në gjyqësor dhe presioni mbi shoqërinë civile nxisin prapambetjen demokratike duke dobësuar kontrollet dhe balancat dhe duke zvogëluar mbikëqyrjen publike. Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, transparenca e vendimeve për projektet e investimeve me vlerë të lartë është një dobësi e zakonshme. Rregullat e pezulluara të transparencës dhe kompetencat diskrecionare të pakontrolluara po i vënë fondet publike në rrezik korrupsioni, ndërsa gërryejnë besimin publik”, lexohet në raportin e Transparency International për Ballkanin Perëndimor.

Sa i përket renditjes në rajonin tonë, lista kryesohet nga Mali i Zi si vendi me më pak korrupsion, më pas Kosova në vendin e 76 në botë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, ndërsa në fund është Serbia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos