Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” tha se fton të gjitha partitë opozitare, përfshirë atë Demokratike, të vijnë në shesh të protestojnë kundër Edi Ramës. “Ditën që të gjithë zbresin në shesh, kronometri fillon dhe numëron mbrapsht për Edi Ramën dhe qeverinë e tij”, tha Lapaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Unë e thashë, Partia Demokratike do jetë në tryezën e organizuar nga Ermal Hasimja. Ne jemi prej 63 ditësh në shesh. I presim aty tani”, shtoi Lapaj. I pyetur nëse përfaqësues së forcës së tij politike do të marrin pjesë në protestën e opozitës, Lapaj u përgjigj: “E kemi thënë që në krye të herës që jemi për protestë nën flamurin kombëtar përtej partive specifike. E pranoj që Partia Demokratike është partia e dytë në vend sot. Nesër mund të jetë e para, mund të jetë e treta mund të mos ekzistojë fare. Sot është e dyta. Ne nuk kemi organizuar protestë me flamur partie. Protesta jonë ka një flamur. Flamuri kombëtar ku duhet të mblidhen të gjithë të korruptuarve që po na vjedhin”.
Lapaj tha se të githë përfaqësuesit e forcave politike të cilat duan të bashkëpunojnë, duhet të vijnë dhe të zbresin në shesh, si shenjë e nevojës për t’u përballur me Edi Ramën. “Në po themi, protesta duhet të jetë 24 orë në 24, nga çdo grupim i organizuar në këtë vend. Aty duhet të vijnë dhe zoti Hasimja, që ka marrë iniciativën. Është luftë kjo! Nëse përmbushen gjashtë pikat, aty duhet të vijë dhe Partia Demokratike si partia e dytë më e madhe në vend. Ne jemi partia e tretë në vend. 24 orë në 24 të instalohemi në shesh. Tryeza (e thirrur nga Ermal Hasimja) të mbahet në shesh, sepse sheshi është institucioni ku duhet të përballet populli”, tha Lapaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Kushti që ne ta marrim të mirëqenë gjithë këtë seriozitet të nismës që ka bërë zoti Hasimja me të tjerë është që, të gjithë, që nga grupimi vetë zoti Hasimja dhe intelektualët, te Partia Demokratike e me radhë, të zbresin në shesh dhe pasi zbresin në shesh ne të gjithë aty të bëjmë në ditët në vazhdim forumin, të dakordësohet, të firmoset dhe të mos ikim andej deri ditën që Edi Rama ulet në atë shesh për të bërë marrëveshjen për tranzicionin politik drejt demokratizimit të vendit”.
“Ne këtu jemi për të adresuar nevojën që ka vendi për një kod zgjedhor të mirë që Edi Rama të mos vjedh më dhe të iki. Të iki, të iki pa kushte, të iki. Nëse nuk ikën do të përplasemi me të gjitha mënyrat. Do përplasemi sepse ai nuk mundet dhe të na vjedhë dhe të na rrahë dhe të na tallë dhe të na shtypë...”. (A2 Televizion)