Thirrja e ambasadave për dialog, palët refuzojnë uljen në negociata

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2023, 19:14 | Politikë



Thirrjet e ndërkombëtarëve drejtuar politikës që të kthejnë normalitetin parlamentar, përmes rrugës së dialogut, duket se kanë rënë në vesh të shurdhët. Nënkryetarja socialiste e kuvendit, Ermonela Felaj në intervistë në A2CNN u shpreh e vendosur që opozita nuk mund t’i imponohet mazhorancës duke protestuar në Parlament.

“Bëhet thirrje për dialog? Dakord. Por dialogu nuk mund të vendoset mbi bazën e veprimeve të dhunshme dhe mbi bazën e imponimeve që kërkojnë. Sa kohë ata të vendosën me veten se ku janë? Cilës parti i takojnë? Kush është kjo parti dhe kush është kryetari i tyre? Ne do të vijojmë të shohim manifestime të tilla, por puna do të vazhdojë”, tha Felaj.

Për kreun Rithemelimit, nuk mund të negociohet mbi respektimin apo jo të Kushtetutës. Ndaj, Sali Berisha mendon që e vetmja rrugë është zbatimi i saj.

“Çfarë negociatash. Me Kushtetutën nuk ka negociata. Të zbatohet Kushtetuta. Po kërkojmë ndonjë gjë ekstra. Vetëm Kushtetutën. Të zbardhen vendimet”, u shpreh Berisha.

Për këtë qëndrim të Berishës reagoi edhe socialistja Felaj, duke i treguar atij se për mazhorancën ai është vija e kuqe. Ndërsa ish-kryeministri, nga ana tjetër, tregon se s’ka ndërmend të bëjë hapa pas.

“Zoti Berisha ta harrojë që përfaqëson diçka që do të detyronte mazhorancën të ulej në dialog. Nuk ekziston zoti Berisha. Zoti Berisha le të zgjidhë problemet e tij me drejtësinë”, deklaroi Felaj.

As emri Gazment Bardhit si interlokutor potencial në dialog, nuk ndryshon qasjen e mazhorancës. Si zgjidhje, n/kryetarja e Kuvendit i tregon opozitës derën e Gjykatës Kushtetuese. 

“Rruga që duhet të ndjekin të gjithë ata që nuk janë dakord me vendimin tonë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Aty nuk i ka penguar njeri”.

Mungesa e vullnetit për të ulur tensionet dhe gjetur dakordësinë politike, u shfaq edhe në përgjigjen që mazhoranca i ktheu aksionit të opozitës në seancën e së hënës, me përjashtimin e 4 deputetëve demokratë, me në krye Gazmend Bardhin, Flamur Nokën, Bledion Nallbatin dhe Flamur Hoxhën.

Socialistët në sekretariatin etikës falën dy koleget gra demokrate Albana Vokshin dhe Sorina Kotin.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos