Përshkallëzohet dhuna! Sulmohen me gurë, kapsolla dhe shkopinj institucionet, lëndohet një protestues

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2026, 13:01 | Kronikë

Është përshkallëzuar në akte dhune protesta kombëtare e nisur që prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm në sheshin Skënderbej në Tiranë.

Protestuesit kanë sulmuar me gurë, shkopinj dhe sende të forta godinat e Ministrisë së Brendshme, të Infrastrukturës dhe Bankës së Shqipërisë, duke thyer xhamat e dritareve dhe duke dëmtuar sinjalistikën rrugore.

Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë protetsuesit kanë hedhur gjithashtu kapsolla tymuese dhe molotovë. Një prej dritareve të Ministrisë së Brendshme është përfshirë nga flakët pas hedhjes së një molotovi.

Sipas raportimeve nga terreni të gazetarëve të A2 CNN, në disa prej akteve të dhunës janë përfshirë edhe të mitur, të cilët janë parë duke goditur xhamat me gurë dhe shkopinj druri. Mësohet se një protestues ka mbetur i lënduar.

Fillimisht, efektivët që ndodheshin pranë godinave të institucioneve nuk ndërhynë, ndërsa më pas policia iu kundërpërgjigj me ujë dhe mobilizoi vendosjen e forcave në mbrojtje të Kryeministrisë.

Ndërkohë vijon marshimi i protestuesve drejt godinës së kryeminsitrisë, ndërsa në bulevard po afrohen grupe të tjera qytetarësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos