Veliaj, letër Këshillit Bashkiak: Buxheti i 2026 nuk mund të kalojë pa vullnetin tim

Nga Ornela Joti
15 Dhjetor 2025, 18:38 | Politikë

Veliaj, letër Këshillit Bashkiak: Buxheti i 2026 nuk mund të

Buxheti i kryeqytetit shqiptar ende nuk ka kaluar. Mëngjesin e se hënës, A2CNN mëson se ai nuk do të kalonte pa u shqyrtuar më parë në Partinë Socialiste.

Ndërsa të enjten pritet miratimi i tij, Ogerta Manastirliu, drejtuese politike dhe kandidate për zgjedhjet e 2027-ës i thirri pasdite në selinë rozë anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Hera e fundit që ata kishin qenë aty ishte kur morën udhëzimet se si do ta shkarkonin Erion Veliajn si kryebashkiak.    

Por, Erion Veliaj është në detyrë dhe ka kërkuar ta ushtrojë atë. Përmes një shkrese, ai i kërkoi po këtë të hënë Këshillit Bashkiak të mos kalojë projektbuxhetin e 2026 pa marrë mendimin dhe vullnetin e tij si kryetari legjitim i Bashkisë së Tiranës.  

Përmes një letre dërguar këshillit nga qelia e tij e paraburgimit, Veliaj ju kujton të vetëve se miratimi i projektbuxhetit i planifikuar nga këshilli në datën 18 dhe pa u konsultuar me të përbën shkelje të Kushtetutës dhe cenim të autonomies së vetëqeverisjes. Për këto arsye, kërkoj zyrtarisht që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të vitit 2026: “Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar; Tëmerret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik; Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, do të institucionalizonte përjashtimin e Kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese”.

Në letrën e tij, Veliaj flet për gjendje alarmante sa i përket niveleve të ulta të realizimit të buxhetit të këtij viti: “Situata aktuale është veçanërisht shqetësuese. Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat e realizimit historik që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim. Ky është një tregues i qartë i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës”. 

Veliaj e mbyll letrën e tij me sqarimin se buxheti i miratuar pa vullnetin e tij do të cenonte Kushtetutën dhe autonominë e vetëqeverisjes.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos