Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, akuzoi qeverinë për arrestime me motive politike pas vizitës së kryer në Bllokun e Sigurisë "Mine Peza". Ai kërkoi lirimin e mbështetësve të ndaluar për dhunë gjatë protestës, duke pretenduar se pas hekurave duhet të ishin "banditët me uniformë" dhe jo qytetarët.
Demokratët shkuan të takonin nga afër protestuesit e arrestuar nga policia. Flamur Noka dhe Klevis Balliu panë nga afër gjendjen e mbështetësve të tyre pranë Bllokut të Sigurisë “Mine Peza” ku që nga e diela mbrëma vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, shkruan A2CNN.
“Vizituam të arrestuarit politikë të narkoregjimit. Të gjithë ishin me moralin lartë, janë të gjithë viktima politike të mllefit të regjimit që po jep shpirt. Ata janë sot më të motivuar për betejën me narko regjimin”, tha Flamur Noka.
Arrestimin e tyre Flamur Noka e konsideroi të motivuar politikisht duke hedhur akuza direkte ndaj qeverisë.
“Në vend të tyre sot duhet të ishin banditët, me apo pa uniormë që i shërbejnë regjimit, këtu duhet të ishin ata mercenarë me kapele apo pa kapele”, tha Noka.
Në total 15 persona u ndaluan nga Policia e Shtetit pas protestës së demokratëve të dielën mbrëma si të dyshuar për akte dhune me molotov. (A2 Televizion)