Debat në GJKKO për dosjen “Veliaj”, Dumani-avokatit: Flisni me akte, jo me hamendje

Nga A2 CNN
24 Mars 2026, 16:17 | Politikë

Debat në GJKKO për dosjen “Veliaj”, Dumani-avokatit:

Në GJKKO u zhvillua këtë të martë seanca e radhës në themel për gjykimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë.

Në seancë ishin të pranishëm prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado, ndërsa vetë Veliaj mungoi. Ai ka kërkuar të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca.

Gjatë seancës pati debat për aksesin në aktet e dosjes. Avokati Ndreca kërkoi kohë dhe njohje të plotë me dokumentacionin, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për një proces të rregullt dhe për përgatitjen e mbrojtjes.

“Ne kërkojmë të njihemi me aktet dhe të zhvillojmë një proces të rregullt ligjor. Është e drejtë themelore që të përgatisim mbrojtjen dhe strategjinë tonë. Aktet duhet të jepen me inventar, që të dimë saktësisht çfarë kemi marrë,” tha Ndreca raporton A2CNN. 

Nga ana tjetër, kreu i SPAK, Altin Dumani, kundërshtoi pretendimet e mbrojtjes, duke sqaruar se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk kanë detyrim të njohin të pandehurit me aktet.

“Hetuesit nuk janë ngarkuar për këtë procedurë. Ata kanë zbatuar vendimin e gjykatës. Nuk flasim me hamendje, por me akte. Avokati mund t’i drejtohet sekretarisë së gjykatës për të verifikuar dokumentacionin dhe për të parë nëse janë dorëzuar të gjitha aktet,” deklaroi Dumani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos