Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj, i dha mesazhe të qarta politikës, se pushteti gjyqësor mund të funksionojë vetëm kur është i pavarur. Me rastin e 25-vjetorit të Kushtetutës, Zaçaj tha se i kupton kritikat ndaj gjyqtarëve, si një e drejtë e lirisë së shprehjes, mirëpo thekson se nuk duhet të kthehen në sulm apo si mjet presioni ndaj tyre.
“Kritikat ndaj Gjykatës dhe gjyqtarëve të saj janë një indikator i lirisë së shprehjes për të cilën ne të gjithë kemi luftuar, por deri në atë masë që nuk kthehen në sulm ose mjet presioni ndaj tyre. Mos të harrojmë, pushteti gjyqësor, mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur. Politizimi i gjyqësorit dhe gjyqësorizimi i politikës kanë qenë dhe janë fenomene, të cilat përbëjnë sfida të vazhdueshme të demokracive në zhvillim, por edhe të atyre të konsoliduara”, tha ajo.
Nga ana tjetër, presidenti Bajram Begaj, tha se sistemi i drejtësisë po përballet me një sfidë të madhe, por që duhet superuar për t’iu afruar sa më shumë qytetarëve me eficencë, barazi para ligjit, transparencë.
Sistemi i drejtësisë po përballet me një sfidë të madhe, për shkak të numrit të madh që gjykatat kanë në shqyrtim. Duhet të mendojmë zgjidhje sa më të shpejta dhe efektive. Synimi ynë është që drejtësia të afrohet para qytetarëve me eficencë, barazi para ligjit, transparencë. Rezultatet e saj ndihmojnë në rritjen e cilësisë ligjvënëse dhe kontrollit kushtetues”, tha Begaj.
Ndërkohë në këtë 25-vjetor të Kushtetutës, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ka nguruar të thumbojë opozitën, e cila mungonte në këtë sallë.
“Historia politike e tranzicionit në Shqipëri ka treguar se sa herë palët politike kanë tentuar të gjejmë zgjidhje Ad Hoc duke shmangur parimet kushtetuese kam në dështuar me sukses. Përgjatë këtyre viteve, përmes ndasive politike kemi ditur të ndërtojmë edhe konsensus politik për të sjellë ndryshime të nevojshme për vendin.
E për ironi të fatit sot në Kuvend kemi një situatë që ngjan me atë të vitit të largët 1998 në kohën e debatit Kushtetues, ku shtetari i urtë Sabri Godo u bënte thirrje përfaqësuesve të opozitës t’u bashkoheshin diskutimeve në Komisionin Kushtetues me bindjen se arsyeja njerëzore maturia kushtetuese të fitonin ndaj çdo force që synonin të minonin demokracinë kushtetuese shqiptare.
Sot kthimin te parlamentarizmi dhe debate parlamentar si zgjidhja e vetme e ngërçeve politike e dikton vetë Kushtetua, e cila ka paraparë zgjidhej për çdo ekzigjencë politike opozitare brenda lojalitetit kushtetues", deklaroi Manja.
Në të njëjtën frymë ishte edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila herë pas herë është akuzuar nga opozita se shkel Kushtetutën.
“Kuvendi nuk do të lejojë që të zgjedhurit të imponojnë vullnetin e tyre mbi të ata që i kanë zgjedhur. Para një dekade u përballëm me një sistem të korrupsionit, që ishte shndërruar në një gjyle të rëndë të antishtetit”, tha Nikolla. (A2 Televizion)