Arbërishtja në rrezik, diaspora rikthehet në Tiranë, kërkon të drejtën e votës

Nga Fjorela Beleshi
25 Nëntor 2023, 17:08 | Politikë



As në këtë samit nuk mund të mungonin performancat artistike. Qeveria shqiptare zgjodhi t’i priste me këngë dhe valle arbëreshët e ardhur në Tiranë në kuadër të samitit të tretë të diasporës.

Për herë të parë, këtij komuniteti ju dha mundësia në Shqipërinë e tyre që të festojnë dhe të nxjerrin në pah sfidat dhe sakrificat me të cilat po përballen prej shekujsh.

Si organizatori i këtij samiti, Ministri i Jashtëm Igli Hasani tregoi edhe rëndësinë simbolike të këtij takimi.

“Zgjodhëm ta mbajmë Ditën Arbëreshe sot, në Ditën e Alfabetit, sepse 22 nëntori mbart një simbolikë të veçantë. Shkëndijat e rizgjimit të ndërgjegjes kombëtare që erdhën nga arbëreshët, forcuan përpjekjet e patriotëve dhe dijetarëve tanë edhe për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, 115 vjet më parë”, tha ministri Hasani.

Kujtimet e vizitave në komunat arbëreshe në Itali u kishin lënë mbresa të veçanta si Presidentit Bajram Begaj ashtu edhe kryeministrit Edi Rama.

Krahas lavdeve për sakrificën 600 vjeçare për të ruajtur identitetin shqiptar, presidenti i Republikës, Bajram Begaj ngriti shqetësimin se një ditë arbërishtja mund të kthehet në gjihë të vdekur.

“Arbërishtja ka vite që renditet nga UNESCO si ”qartësisht e rrezikuar” në atlasin e ”gjuhëve të rrezikuara të botës”. Kjo do të thotë mes të tjerash se fëmijët arbëreshë në shtëpi nuk e mësojnë më arbërishten si gjuhën e nënës. Mbijetesa e arbërishtes nuk është thjeshtë çështje shkencore. Për ne shqiptarët ajo është thelbësisht çështje identitare dhe si e tillë ajo ka rëndësi për interesat e kombit shqiptar”, tha kreu i shteti.

Qeveria nuk ka ende një strategji konkrete se si mund t’i vijë në ndihmë këtij komuniteti për të ruajtur gjuhën shqipe, por në këtë samit u hodh një hap për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë shqiptare për bashkëpunim ekonomik dhe kulturor.

Shqetësimin e shuarjes së gjuhës shqipe si identitet të arbëreshevë e mbështeti edhe Kryeministri Rama.  “Ne e dimë shumë mirë që vetë gjuha shqipe këtu në Shqipëri është e kërcënuar nga varfërimi, imagjinoni tani sa më të vështirë e kanë tani arbëreshët. Dhe për këtë arsye ne kemi vendosur që të hapim këtë proces që nisi me firmat që u hodhën sot këtu” tha Rama.

Vetë Kryetari i bashkisë së Piana degli Albanesi në Itali, Rosario Petta tregoi që është me rëndësi jetike për këtë komunitet që të projektohen ide për të ardhmen mbi bazën e identitetit tonë kombëtar.

“Ky samit padyshim që është një përgjegjësi e thellë, por në të njëjtën kohë është një mundësi të punojmë së bashku në interes të komuniteteve tona dhe të projektojmë ide dhe vizionin drejt së ardhmes, por të orientuar në origjinën arbëreshe dhe rrënjët unike”, tha Rosario Petta.

Përveç mesazheve politike, të mbështetura edhe në emocione patriotike, në takim u fol edhe për një projekt konkret që pritet të sjellë në Shqipëri kulturën e ruajtur të arbëreshëve në Itali.

“Lindi edhe ideja e muzeut arbëreshë në Shqipëri. I kemi gjetur edhe vendit dhe ku tjetër përveç se në Kalanë e Skënderbeut. Dhe janë një sërë idesh të tjera që nuk do ju marrë kohë, deri te ato që i japin jetë kësaj marrëdhënie në nivele të ndryshme njerëzore”, shtoi kryeministri.

Efektet e surprizës tejkaluan problemet e shqiptarëve, pasi pjesë e këtij samiti u bë edhe një brazilian, trajneri i Kombëtares Shqiptare Sylvinho, duke marrë jo pak vëmendje. pasi bëri të mundur kualifikimin e kuqezinjve në Europianin e Gjermanisë.

I entuziazmuar që kishte në krah qytetarin më të ri të Shqipërisë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla nga Kuvendi i Arbëreshëve, postoi edhe një video me Silvinion.

Dita e parë e samitit shkoi ashtu siç e kishte planifikuar kryeministri, duke patur gjithçka nën kontroll. Por dita e dytë e takimit të shqiptarëve të diasporës u përcoll me surpriza.

Mungesën, shefi i qeverisë së Kosovës e argumentoi me prezencën e tij të nevojshme në Parlament për të raportuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e KE për Prishtinën.

Kurti i tha jo ftesës së Ramës, por opozita në Shqipëri nuk e kishte një mundësi zgjedhjeje, pasi organizatorët në samitin e bashkimit të shqiptarëve kishin lënë jashtë deputetët e pakicës në Parlament.

Shqetësimin për votën e emigrantëve e mbështeti me zë vetëm kreu i shtetit Bajram Begaj, madje duke kërkuar edhe ulëse në Parlament për emigrantët. Për këtë qëndrim të diasporës dhe presidentit, kryeministri Rama heshti.

Por nga Begaj, Rama tha që do të pranojë kërkesën për festë kombëtare ditën e Alfabetit. Një kërkesë që ja përcolli edhe homologut shqiptar të Prishtinës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u fokusua te shqetësimet me të cilat po përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës nga shteti serb.

Ndërsa Diaspora synon të drejtën e votës, kryetari i Komunës së Luginës së Preshevës kërkon nga Shqipëria t’i kushtojë më shumë kohë shqiptarëve aty.

Rikthimi i trurit në atdhe është një sfidë e madhe për shqiptarët, tha kreu i BDI-së në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti. Si një mik, ai kishte edhe një këshillë për Edi Ramën.

Liderët e trojeve shqiptare u bashkuan në Tiranë, por në Maqedoninë e Veriu, kombësia nuk është një faktor i mjaftueshëm për t’i bërë bashkë partitë politike. Këtë e vëren edhe kryetari i parë shqiptar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri.

Përfaqësimi i shqiptarëve në qeverinë e Malit të Zi, tashmë është një realitet i pakthyeshëm që me Dritan Abazoviç që drejtoi qeverinë e   Malit të Zi. Por zv/kryeministri i sapozgjedhur Nik Gjeloshaj e cilësoi sukses edhe zgjedhjen e një shqiptari si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Diaspora do të presë sërish të kthehet në Atdhe, më shumë të bashkuar apo më shumë premtime të mbajtura nga qeveria? Kjo do të mësohet në samitin e ardhshëm të shqiptarëve që jetojnë anembanë botës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos