Rikthehet Superliga, spikat supersfida Vllaznia-Partizani, Tirana pret Flamurtarin

Nga Dea Kozma
12 Shtator 2025, 15:54 | Futboll

Këtë fundjavë rikthehet Kategoria Superiore me ndeshjet e javës së tretë. Duele interesante që do të ndahen në dy ditë. Të shtunën Tirana rikthehet të luajë në kryeqytet në stadiumin “Selman Stërmasi” përballë Flamurtarit, shkruan A2 CNN. Për bardheblutë nuk ka justifikime teksa do të kërkojnë fitoren e para në kampionat.

“Objektivi ynë është t’i fitojmë ndeshjet, thjesht duhet të bëjmë Tiranën, të luajmë me zemër dhe shpresoj të marrim rezultatin që duam. E di që tifozeria e Tiranës është më e mira në Shqipëri, jam i bindur që do të vijnë të shumtë në stadium për të na mbështetur, ua kam thënë edhe lojtarëve që besoj janë të ndërgjegjshëm se çfarë fanelle veshin”, tha trajneri i Tiranës, Bordin.

Edhe vlonjatët do të zbresin në fushë vetëm për fitore ndonëse e kanë të qartë se detyra në kryeqytet do të jetë e vështirë. “Ndeshja kundër Tiranës Është një ndeshje e vështirë. Ne do shkojmë në Tiranë për të fituar, për të vazhduar progresin në rritje të ekipit, për të treguar identitetin tonë. Jemi gati për ndeshjen. Shumë besimplotë tek lojtarët, tek puna dhe tek gjithçka. Kemi dy javë që nuk luajmë dhe dëshira është për t'u rikthyer është dhe me e madhe”, tha Carlos Garcia Badias.

Sfida që spikat këtë fundjavë, është Vllazni-Partizani. Dy skuadra të ndërtuara me ambicie maksimale do të matin forcat në “Loro Boriçi” me synim vetëm 3 pikë. Në takimet e tjera, të dielën Elbasani pret Dinamon në shtëpi ndërsa Teuta dhe Vora do të luajnë në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos