Zgjedhjet e 11 majit, nis vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit për diasporën, Celibashi shpjegon procesin e votimit

Nga A2 CNN
10 Prill 2025, 12:50 | Politikë

Ka nisur vulosja e fletëve të votimit për diasporën, të cilët për herë të parë do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Pritet që vulosja mbyllet deri nesër për fletë dhe futja e tyre në zarfin A që është i njëjtë për të gjithë. Ditët e ardhshme do të vijohet futja e tyre në zarfet B, që janë të personalizuara për çdo votues.

“Ne mendojmë që ta mbyllim brenda kësaj jave. Deri nesër ta mbyllim procesin e vulosjes. Janë dhe emocionet e stafit, sepse duhet të kenë kujdes në vulosjen e fletëve të votimit. Brenda kësaj jave do të nisim dhe dërgimin e zarfeve të postës për atë sasi që do tëkemi bërë gati. Pjesë-pjesë, sipas destinacionit, Itali, Greqi, Gjermani, SHBA etj. Koha që do të kemi në dispozicion, nëse nisim shpërndarjen, sipas asaj që kemi angazhuar, brenda një dite për Greqinë, Italinë, do ta kenë zarfin me fletën e votimit brenda postës së tyre. 1,2 ose 3 maj të jetë data e fundit që të kenë mundësinë që të vijnë, të gjejnë zarfin atje dhe ta marrin”.

I pyetur sesi do të veprohet me votuesit, Celibashi shpjegoi:

"Do të shkojë herën e parë dhe nëse nuk e gjen në banesë, do t’i lërë orarin që postieri mendon se do i shkojë herën e dytë. Dhe nëse herën e dytë nuk e gjen do i shkojë herën e tretë. Nëse as herën e tretë nuk e gjen, do i lërë një shënim votuesit, që fletën e votimit do mund ta gjejë në zyrën postare dhe ta tërheqë duke paraqitur një dokument identifikimi.

Nëse në datën 3 maj, akoma nuk e kemi vendosur, por jo përtej një date të tillë, do duhet llogaritur dhe koha që do kthehet zarfi mbrapsht në Shqipëri, në rastin më ekstrem do të duhet 3 deri në 4 ditë që zarfi të kthehet mbrapsht.

Çdo zarf, i cili ka në vulën e hyrjes në momentin kur hynë në territorin e Republikës së Shqipërisë, pas orës 19:00 në 11 maj, nuk do numërohet. Pra, çdo zarf duhet të mbërrijë para orës 19:00 më 11 maj.

Votuesi nga jashtë, nuk ka nevojë të shkojë në një zyrë postare. Në momentin që ka mbaruar procesin e votimit, fletën do e fusë në zarfin A, zarfin A në zarfin B dhe më pas në zarfin e postës. Të gjitha këto do të jenë të shpjeguara në fletën udhëzuese nga KQZ. Nuk ka nevojë votuesi të dalë nga shtëpia dhe ta depozitojë zarfin e votuesit, mjafton të marrë në telefon postierin dhe t’ia dorëzojë.

Ata kanë një protokoll të sjelljes së tyre që nuk kanë asnjë arsye pse ta bëjnë më mirë ose më keq postën. Përgjegjësia për ta është njësoj sikur të dorëzonin një çek bankar ose një gjë tjetër postare. Nga ajo çfarë ne dimë, është tërësisht një qasje profesionale dhe e përgjegjshme”, u shpreh Celibashi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos