Një ditë para çeljes zyrtarisht të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, kryeministri iu përgjigj pyetjes së ndjekësve në Facebook. Në rubrikën e tij Sy m’sy njëri prej tyre i shkroi Ramës; “vazhdo me broçkullat e tua derisa sa të zbresë sherifi në qytet”, duke nënkuptuar ardhjen e Chris LaCivita nesër në çeljen e fushatës së PD-së.
Këtij komentuesi Rama zgjodhi të mos i komentojë, por tha: “Nuk po bëj asnjë koment, sepse ja erdhën zgjedhjet dhe do ta shohësh kush do të zbresë e kush do të bjerë”.
Sa i përket nisjes së fushatës të cilën PS e ka lajmëruar se do ta nisë një ditë pas PD-së, Rama tha se ndryshe nga herët e tjera do të nisin një cikël takimesh.
“Nesër dita e rënies së gongut zyrtar të fushatës së 11 Majit, dhe ndryshe nga herët e tjera, nesër do të nisim fushatën zyrtare me një cikël takimesh. Natyrisht do të jemi së bashku me fuqinë tonë kryesore që janë gratë dhe vajzat”, tha Rama. (A2 Televizion)